Iraklis konfirmon Muratin
13/06/2005 Skuadra greke, Iraklis kërkon që të përfitojë nga shërbimet e Edvin Muratit edhe për sezonin e ri. Sipas gazetës greke “Metro Sport”, Iraklis është në përfundim të ristrukturimit të skuadrës për sezonin e ri dhe një nga problemet kryesore që i mbeten për të zgjidhur është qëndrimi i “asit” shqiptar nën urdhërat e trajnerit, Savas Kofidhis. “Qëndrimi i lojtarit të përfaqësueses shqiptare është cilësuar më se i nevojshëm nga Kofidhis, pasi bëhet fjalë për një lojtar cilësor dhe me një eksperiencë të madhe, ç’ka mund t’i nevojitet shumë selanikasve”, thekson gazeta greke. Por, gjithashtu theksohet, se për t’u arritur një marrëveshje e tillë Muratit i duhet që të pranojë një ulje të të ardhurave të tij vjetore. Në fakt dëshira ekziston nga të dy palët, pasi gazeta helene vë në dukje se: “Ka shumë mundësi që futbollisti shqiptar të bie dakort për uljen, pasi dëshiron që të qëndrojë tek Iraklis dhe ka një vlerësim të madh për sjelljen e drejtuesve të klubit ndaj tij në periudhën që ka qenë i dëmtuar”. Në fakt Murati nuk ka luajtur gati gjysmën e sezonit të kaluar në kampionatin helen, më saktë që nga nëntori i 2004 kur u dëmtua në ndeshjen kundër Egaleos, e megjithatë Iraklis i ka paguar rregullisht rrogën. Tani drejtuesit e skuadrës helene presin që këtë sjellje të mirë të tyre mesfushori shqiptar t’iua shpërblej me pranimin e një kontrate të re me një rrogë më të ulët. Gjithashtu theksohet, se mesfushori 30-vjeçar ka oferta edhe nga skuadra të tjera të kampionatit helen, por edhe nga kampionët e Qipros, Anorthosis. Por, në fund gazeta greke shprehet se ka shumë mundësi që Edvin Murati të qëndrojë edhe këtë sezon tek bardheblutë e Selanikut.
Aurel Pepa
Aurel Pepa