E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, paratë e çojnë te Lacio

Transferimi i Erjon Bogdanit te Lacio po merr ngjyra vazhdimisht e më të forta. Shtypi italian pohon edhe argumentet që flasin në favor të sulmuesit aktual të Kievos për t'u bashkuar me bardhekaltërit, atje ku një tjetër shqiptar luan rolin e drejtorit teknik.
Gazeta "Il Tempo" shkruan se sulmuesi nigerian i Lacios, Makinua mund të këmbehet me shqiptarin Bogdani, ndërsa "Il Giornale", paraqet një tjetër variant: "Duke parë faktin që paratë në shtëpinë e Lacios janë të pakta, zgjedhjet janë të kufizuara. Ju pëlqen shqiptari Erjon Bogdani, i cili nuk i entuziazmon tifozët por është përballueshëm nga pikëpamja ekonomike". Aktualisht Bogdani fiton rreth 950 mijë euro me Kievon, ku është rikthyer pas huazimit te Livorno, klub ku shqiptari ishte lojtari i dytë më i paguar.
Nëse do të transferohej te Lacio, Bogdani do të ishte lojtari i katërt shqiptar që do të luante për fanellën bardhekaltër, duke futur në këtë llogari Loro Boricin (gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore), Igli Taren (tashmë drejtor teknik te Lacio) e kosovarin me pasaportë zvicerane Valon Behrami (i transferuar në Angli te Uest Hemi). Bogdani ka luajtur te Verona me Valon Behramin dhe Florian Myrtajn.
Për Bogdanin, Lacio do të ishte klubi i tij i gjashtë në Itali, pas Rexhinës (Seria A), Salernitanës (Seria B), Veronës (Seria B), Sienën (Seria A), Kievos (Seria A) e Livornos (Seria A). Në Itali Bogdani ka luajtur deri tani 239 ndeshje, duke realizuar 56 gola, 2 prej të cilëve në sezonin e fundit të luajtur si i huazuar te Livorno.
Bogdani, i cili filloi karrierën në Shqipëri me Partizanin (62 ndeshje, 21 gola), ka luajtur edhe me Genclerbirlixhi në Turqi (11 ndeshje, 1 gol) si dhe me NK Zagrebin në Kroaci (26 ndeshje, 8 gola) nga ku arriti dhe të transferohej në Itali te Rexhina, në janar të vitit 2000.
Për herë të parë pas tre vjetësh, qysh nga ndeshja kundër Ukrainës (2005), Erjon Bogdani nuk është thirrur me Kombëtaren e Shqipërisë. Nëse gjermani Hans Peter Brigel e thirrur pas presionit të shtypit dhe 17 golave të tij me Veronën, kroati Oto Baric e kishte gjithmonë zgjedhjen e parë. Trajneri Ari Han, i cili kishte Bogdanin në ndeshjen miqësore kundër Polonisë, nuk e thirri për takimin miqësor kundër Lihteshtejnit, cka është një paralajmërim i keq për grumbullimin e tij për ndeshjen zyrtare kundër Suedisë, më 6 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›