Prizreni, flamurmbajtësi kuqezi kundër kampionit aziatik

Mundësi Said Prizreni, flamurmbajtësi i delegacionit kuqezi sportisti i fundit shqiptar që do të garojë në Pekin kaloi me short direkt në turin e dytë, por në 1/8-at fati e ka venë përballë kundrejt mundësit nga Kirgistani, Bazar Bazarguruev, një prej kundërshtarëvë më të fortë në stilin e lirë në peshën deri 60 kg. 23-vjecari Bazarguruev është kampion i Azisë (2007) dhe në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit u rendit në vendin e tretë në peshën 60 kg. Sipas të dhënave që jep faqja zyrtare e Lojërave Olimpike, Bazarguruev është 160 cm i gjatë dhe peshon 60 kg, ndërsa Prizreni është 167 kg dhe peshon 67 kg. Ndeshja Prizreni-Bazarguruev do të zhvillohet të mërkurën, më 19 gusht në orën 04.10, me orën e Shqipërisë. Në "Athinë 2004" Said Prizreni u rendit i 17-i në peshën 60 kg, në Kampionatin Botëror në Baku të Azerbajxhanit i treti dhe në Kampionatin Europian në Tampere të Finlandës, i nënti.
Sipas një kompanie bastesh në internet, centrebet.com të dy mundësit kanë shanse të njëjta për të fitur medaljen e artë: 29.00, ndërkohë që kampion vlerësohet rusi Batirov, koeficienti i të cilit është 2.75.
Ky është shansi i fundit për t'u kthyer nga "Pekin 2008" me një medalje, atje ku u përfaqësuam edhe me numrin më të madh të sportistëve, 11. Në mundje Shqipëria u paraqit mirë edhe me Elis Gurin, i cili arriti të eliminojë në turin e dytë egjiptianin Gabar, por në cerekfinale u mposht me short (monedhë) nga gjermani Mirko Engliq. Deri tani sukseset tona janë, një vend i gjashtë i peshëngritëses Romela Begaj (58 kg), një vend i tetë në mundjen greko-romake i Elis Gurit (96 kg) dhe vendi i 13-të i peshëngritësit Erkand Qerimaj (77 kg). Pesë sportistët e tjerë: Edmond Topalli (xhudo), Gerti Trasha (peshëngritje), Lindita Kodra (qitje), Klodiana Shala (vrapim 400 m) e Dorian Collaku (hedhje cekici) zhgënjyen. Dy notarët Rovena Marku (50 metra stil i lirë) dhe Sidni Hoxha (50 metra stil i lirë) edhe pse u renditën në pozicione jo të kënaqshme në raport me numrin e kundërshtarëve, gjithsesi vendosën secili rekord kombëtar në garën e tij. Suksesi më i madh i Shqipërisë në Lojërat Olimpike është vendi i pestë i arritur nga peshëngritësi Ilirjan Suli në "Sidnej 2000".
Rezultatet e Shqipërisë në "Pekin 2008"
Sot, 19 gusht
MUNDJE
Said Prizreni, mundje e lirë, 65 kg: 19 gusht (09:30-10:30)
Trajner: Sulejman Hoxha
Garat e zhvilluara
PESHËNGRITJE
Romela Begaj, 58 kg: vendi i gjashtë nga 12 sportistë
Erkand Qerimaj, 77 kg: vendi i 13-të nga 30 sportistë
Gerti Trasha, 69 kg: i skualifikuar, dështoi në stilin e shkëputjes
XHUDO
Edmond Topalli, 81 kg: i eliminuar në raundin e parë
NOT
Sidni Hoxha, 50m/stil i lirë: vendi i 63-të nga 97 sportistë
Rovena Marku, 50m/stil i lirë: vendi i 58-të nga 90 sportistë
QITJE
Lindita Kodra
25 m pistoletë me zjarr: vendi 40-të nga 44 sportistë
10 m pistoletë me ajër: vendi 35-të nga 41 sportistë
MUNDJE:
Elis Guri, Mundje klasike, 96 kg: vendi i 8-të nga 20 sportistë
ATLETIKË
Dorian Collaku, cekic: vendi i 28-të
Klodiana Shala, 400 m: vendi i 37-të midis 40 pjesëmarrësve