Bogdani, titullar ndaj Juves në sytë e Kuzhesë
Erjon Bogdani ka rifituar sërish besim e trajnerit të Kievos, Mimi Di Karlo. Një gjë të tillë e konfirmon edhe fakti se në ndeshjen e sotme që skuadra veroneze do të luajë kundër Juventusit, në Torino, sulmuesi i Kombëtares shqiptare është përzgjedhur nga tekniku i tij si pjesë e formacionit të parë. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për Kievon, e cila dëshiron një start të mbarë të sezonit pikërisht kundër "Zonjës së Vjetër". Edhe një barazim do ta kënaqte skuadrën e Di Karlos. Por një gjë e tillë do të jetë e vështirë, përballë njërës prej skuadrave pretendente të sezonit të ri në Seria A. Bogdani do të jetë i karikuar dyfish në këtë ndeshje, edhe për faktin se ai ndjen mbi shpatulla peshën e vëzhgimit të trajnerit të Kombëtares sonë, Josip Kuzhe, i cili do të jetë në tribunën e "Delle Alpit" enkas për të.