E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ndizen motorët", Kategoria Superiore zbret sot në fushë

Pas rreth tre muaj futbolli shqiptar, rikthehen emocionet në stadiumet tona. Pushimet e verës janë lënë pas, ndërsa tashmë vjen koha që përgatitjet e gjata të skuadrave t‘i lënë vendin fushës së blertë. Sot në orën 17:00 "do të ndizen motorët" e futbollit, duke i dhënë jetë kështu Kampionatit të 71-të Kombëtar me Kategorinë Superiore dhe një javë më pas me Kategorinë e Parë. Është koha për t‘u nisur seriozisht me objektiva të qarta dhe me shumë shpresa për t‘i realizuar ato brenda kuadratit të fushës. Si shpesh herë, edhe në këtë sezon Tirana mbetet skuadra për t‘u mundur. Ata që i kanë hedhur "dorashkën" e sfidës janë Dinamo, Vllaznia e Besa. Superligës kësaj here i mungon një rival historik i të gjitha skuadrave, Partizani, ashtu si nuk do të ndihet as prezenca e Elbasanit dhe Lushnjës, të cilët do të garojnë në Kategorinë e Parë.

Tirana - Kampionët janë dëmtuar disi në merkaton e verës pas largimit të disa lojtarëve bazë si: Pezo, Agolli, D. Xhafaj, ndërkohë që tashmë kanë në timonin drejtues një trajner kroat, Lonçareviç, me shumë përvojë. Nuk ka bërë afrime të bujshme (Mohalebi, Abilaliaj, Malindin e Bici), por megjithatë e ka shkruar fort emrin si pretendenti kryesor për të fituar titullin.

Dinamo - Blutë duken skuadra më e kompletuar në këtë prag sezoni të kampionatit shqiptar dhe më kërcënuesja. Kanë ruajtur grupin e sezonit të shkuar, kanë bërë disa përforcime mjaft cilësore në secilin repart, dhe kjo nuk është pak. Ditët e fundit ka pasur polemika mes trajnerit Shkëlqim Muça dhe disa lojtarëve, por megjithatë duket se kjo nuk e ka zbehur objektivin: titullin kampion.

Vllaznia - Shkodranët pretendojnë si gjithmonë, por këtë herë mbartin mbi vete shumë "fjalëkryqe për të zgjidhur". Kanë afruar sulmuesin Rizvanolli, mbrojtësin Rrustemi, mesfushorin Leandro. Ka ende ndryshime për qëndrimin ose jo të Beqirit. Por trajneri Hasan Lika po kërkon ende lojtarë. Megjithatë duket se do të mbështetet edhe në këtë sezon te veteranët Sinani, Osja e Lici. Një plus për shkodranët përfaqëson edhe eksperienca e madhe e teknikut Lika.

Besa - Kavajasit synojnë një vend si protagonistë. Me një merkato cilësore (Orges Shehi, Babamusta, Dhëmbi, D.Xhafaj, A.Poci, E.Vrapi, E.Fagu, A.Dragusha, R. Arapi) dhe emërimin e arkitektit Shpëtim Duro në timon, duket se i kanë mundësitë për të bërë surprizën e madhe.

Mesi i artë - Apolonia, Flamurtari, Shkumbini, ndoshta edhe Teuta, duken të destinuara të rivalizojnë skuadrat pretendente në dukje për titull, të paktën në shtëpinë e tyre, por roli i tyre më i mirë mund të etiketohet: "Mina të mbuluara". Vlonjatët kërkojnë të ruajnë vazhdimësinë e sezonit të kaluar dhe besojnë se në fushën e tyre mund të mundin gjithkënd. Ndërsa fierakët mbështeten sërish te serbët, që nga trajneri e deri te lojtarët. Ata janë "As"-at e tyre nën mëngë, të cilët mund të jenë kërcënim edhe për më të mirët. Shkumbini e Teuta për momentin mbeten enigmat e sezonit, që do zbardhen ndeshje pas ndeshjeje.

Hyrjet e reja - Një parashikim i vështirë duket diskutimi i mundësive për të sapongjiturat Skënderbeu, Kastrioti, Laçi dhe Gramozi. Të paktën teorikisht duket se objektivi i tyre do të mbetet mbijetesa në Kategorinë Superiore. Vështirësitë për ta do të jenë të mëdha, por askush nuk ua heq të drejtën të shpresojnë për më mirë.

E drejta TV

Tirana e Vllaznia, të hapura

për oferta nga TV shqiptare

Edhe pse për të drejtën televizive në kampionat është gjetur një gjuhë e përbashkët për të vazhduar negociatat, nëse plotësohen kushtet e 10 ekipeve, përjashto dy kontestueset e mëdha, Dinamon dhe Besën, Vllaznia e Tirana 24 orë më vonë duket se kanë ndryshuar mendje. "Shitja e të drejtave televizive nga ana e FSHF-së është krejtësisht e njëanshme, tha dje Refik Halili, presidenti i bardhebluve, i cili ka shtuar më pas se "klubi ynë ka parashtruar 6 pika, të cilat mendojmë se duhen ndryshuar. Por, sipas mendimit tim, kjo është një rrugë pa zgjidhje. Dështimi është i sigurt, prandaj jemi në pritje të ofertave të televizioneve shqiptare". Ndërsa Valter Fushaj i Vllaznisë nënvizon se "nuk është aspak serioze që kompania të menaxhojë edhe stadiumet, logot dhe reklamat. Tani, ne jemi të hapur për të gjitha ofertat që do të vijnë nga televizionet shqiptare".

Kategoria Superiore

Java 1 (Ndeshjet / Gjyqtarët)

Sot

17:00 Skënderbeu-Laçi

Sadiku, Mahmuti-Ganci

17:00 Gramozi-Shkumbini

Meta, Pregja-Agaraj

17:00 Besa-Vllaznia

Jareci, Doda-Biçaku

17:00 Apollonia-Teuta

Lulaj, Guçe-Bimi

17:00 Kastrioti-Dinamo

Pashaj, Qirici-Çokaj

19:00 Tirana-Flamurtari

Jemini, Rexha-Puto

Mungesa e madhe

Superligës kësaj herë i mungon një rival historik i të gjitha skuadrave, Partizani, ashtu si nuk do të ndihet as prezenca e Elbasanit dhe Lushnjës, të cilat do të garojnë në Kategorinë e Parë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›