E Diel, 1 Nëntor 2026

Femrat e guximshme

Të reja, të moshuara, të paepura, të vendosura dhe shumë të përgatitura. Për to jeta është luftë kundër qeverive që e përdorin fenë si armë lufte dhe atyre shoqërive që nga Meksika deri në Kongo u poshtërojnë trupin dhe shpirtin. Luftojnë kundër juntës ushtarake birmane (është rasti i famshëm i Augun San Suu Kyi, fituesja e çmimit "Nobel" për paqen, e cila u dënua sërish disa javë më parë me 18 muaj arrest shtëpie) dhe kundër diktaturës më të fuqishme të botës, Kinës. Nuk kanë frikë. Luftojnë kundër një dige në Indi, sepse "dollarët nuk janë ushqime" (aktivistja Medha Patkar) dhe në emrin e pemëve që sjellin paqen në Kenia (fituesja e çmimit "Nobel", Wangaari Mathai). Guxojnë të veshin pantallona në Sudan, si dhe të kërkojnë të drejtën e lindjes në Zambi dhe Kinë. Ngasin makinën dhe arrijnë të kalojnë me varkë kufirin e Arabisë Saudite të pashoqëruara nga meshkuj. Armiqtë e tyre janë gjithmonë padrejtësia dhe dhuna, por format e luftimit janë të pafundme. Secila prej tyre rrezikon jetën e saj, që një ditë të gjitha femrat e tjera të globit të mund të jetojnë në paqe. Këto janë heroinat e mijëvjeçarit të ri, femrat të cilat nuk u dorëzohen shoqërive që janë kundër tyre. Ndryshe nga meshkujt heronj, këto femra kur luftojnë në emër të të drejtave njerëzore, demokracisë dhe lirisë, fillimisht luftojnë për mbijetesën e tyre dhe të fëmijëve.

Sipas "Amnesty International", një në tri gra provon një formë të dhunës, ndërkohë që në vende të caktuara e provojnë dy në tri gra. "Përjashtime mund të bëhen vetëm për vendet skandinave. Në pjesën tjetër të botës femrat janë viktima të një forme diskriminuese", shpjegon Mary Hawkesworth, drejtoreshë e "Signs: Journal of Women in Culture and Society", revista për femrat në mbarë botën. Më e keqja është se këto gra të guximshme, shpesh, madje shumë shpesh, luftojnë të vetme. "Në Kongo janë 12 agjenci të OKB-së dhe 17 mijë paqeruajtës, por përgjegjësi humanitar i OKB-së shkoi të vizitonte vendin vetëm atëherë kur Eve Ensler, autorja e ‘Monologët e Vaginës‘, u tregoi gazetarëve amerikanë se ‘ishte kthyer nga ferri‘" (një vend ku rebelët ruandezë dhe ushtarët kongolezë, njësoj të dhunshëm, prej 15 vjetësh i konsiderojnë mitrat e femrave terrene personale për të luajtur), thotë Stephen Lewis, zëvendësdrejtori i "Aids-Free World".

Gjithsesi, këtë vjeshtë diçka mund të ndryshojë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, një organizatë ende "bijë" e viteve ‘50, patriarkale dhe hierarkike, duhet t‘i japë jetë më në fund një superagjencie dedikuar të drejtave të grave. Agjencitë ekzistuese, "Unifem", "Daw", "Osagi" dhe "Instraw", kanë buxhete qesharake, asnjë koordinim dhe janë krejtësisht të përjashtuara nga procesi i vendimmarrjes.

Ky është momenti i duhur për t‘u ndryshuar rrjedhën gjërave, sepse kjo verë nuk ka qenë e lehtë për femrat heroina. Një muaj më parë, pikërisht më 15 korrik, u vra në Çeçeni, Gronzy. Më pas Natalia Estemirova, një gazetare e cila kish vendosur të demaskonte të gjitha padrejtësitë e bëra me vulën e Kremlinit nga regjimi brutal i Ramzan Kadirov. Natalia ishte mikeshë e Anna Politkovskaja, aktivistja që luftonte për të drejtat e njeriut, armikja e betuar e Kryeministrit Vladimir Putin, e cila u vra nga regjimi në vitin 2006. Natalia ishte pjesë e një organizate joqeveritare, që luftonte për respektimin e të drejtave civile në shumë shtete të ish-Bashkimit Sovjetik. Organizata ishe themeluar nga një grua tjetër, avokatja Lidia Yusupova, që sot kërcënohet me vdekje. "Gjatë viteve të konfliktit, kur meshkujt zhdukeshin me mijëra, femrat filluan të kishin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqërinë çeçene, prandaj tani ka shumë aktiviste femra dhe për këtë arsye Kadirov përpiqet ‘t‘u japë vendin që u takon‘ duke mbështetur poligaminë dhe uniformat shkollore me funde të shkurtra, siç i ka pjesa tjetër e Europës", shpjegon Tanya Lokshina, zëvendësdrejtoreshë e "Human Rights Watch" në Rusi.

Para tri javësh, ekzaktësisht më 4 gusht, Rabiya Kadeer, 62 vjeçe, "Dalai Lama e uigurëve" (kinezët e etnisë turkomane të persekutuar nga diktatura kineze), në emigrim që prej 2005-ës, pasi kishte kryer shumë vitesh burg, pa fëmijët e saj të shfaqeshin në televizionin kombëtar vendas. Ata kërkonin dënimin e saj, pasi kishte nxitur revoltat e përgjakshme të korrikut. Po ato ditë, regjisorët kinezë bojkotuan Festivalin e Filmit në Melburn dhe hakerat bllokuan faqen e internetit. Ishte hakmarrja e Pekinit, pasi organizata kishte refuzuar kërkesën e tij për të mos shfaqur filmin mbi Kadeer, "10 këngët e dashurisë", drejtuar nga Jeff Danieks.

Më 11 gusht, liderja demokrate 63-vjeçare e Birmanisë, Aung San Suu Kyi, pas arrestit të shtëpisë në vitin 1988, u dënua sërish nga junta ushtarake me 18 muaj të tjerë arrest shtëpie. Arsyeja? Për të mos qenë e pranishme në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në dhjetor. Nëse Aung do të ishte e lirë, do t‘i fitonte zgjedhjet. Gruaja e guximshme e një vendi ku femrat dhunohen vazhdimisht nga uniformat ushtarake, është bërë jo vetëm simbol i Birmanisë së shtypur, por i gjithë botës. Ndërkohë, blogerat aziatikë nuk kanë humbur kohë të bëjnë krahasime mes Aung San Suu Kyi dhe Mu Sochua, një parlamentare e opozitës në Kamboxhia, kandidate e çmimit "Nobel" për paqen, e cila është në luftë të hapur me Kryeministrin Hun Sen që prej vitit 2004.

"Hun Sen e di mirë që këtë vit vodhi zgjedhjet dhe se partia e tij nuk do të fitonte kurrë nëse ato do të zhvilloheshin në mënyrë demokratike", thekson Sochua, që më pas akuzon: "Tashmë Kamboxhia është një demokraci vetëm në letër". Sochua ka lindur në një familje të pasur të Phnom Penh. Kur Kamboxhia u shndërrua në një terren lufte, familja e dërgoi në Paris. Sochua jetoi në emigrim për 18 vjet dhe nuk i pa më kurrë prindërit e saj, të cilët u zhdukën në ferrin e krijuar nga "Khmer Rouge". Pasi u rikthye në atdhe, në vitin 1989, themeloi "Khemara"-n, organizatën e parë joqeveritare femërore në vend dhe filloi të luftonte për të drejtat e grave. Pas marrjes së një mandati në Parlament në 1998-ën, u emërua ministrja e grave. Ajo hoqi dorë nga detyra e ministres në vitin 2004, duke e akuzuar qeverinë për korrupsion dhe më pas iu bashkua opozitës. "Mendoj se Birmania dhe Kamboxhia kanë të njëjtin problem, edhe pse ndryshojnë në fuqi", shpjegon Sam Rainsy, lideri i opozitës. "Në çdo diktaturë, të drejtat e pakicave dhe ato të grave janë të shtypura. Kështu, femrat janë nismëtaret e çdo lloj lufte në emër të demokracisë dhe dinjitetit njerëzor". Dhe pikërisht për shkak të një diskriminimi të madh, qindra gra iraniane mbushën rrugët e vendit në muajin korrik, kur Presidenti Mahmoud Ahmadinejad i fitoi me mashtrime zgjedhjet presidenciale.

"Në vendet islamike, që të tilla janë mbi 60, aktivistet i dedikohen në veçanti mbrojtjes së të drejtave të grave", shpjegon Hawkesworth. "Gjatë manifestimeve është e pashmangshme që të mos bien ndesh me grupet drejtuese të vendit".

Mes aktivisteve ishte edhe Neda, vajza që u godit për vdekje nga "basij"-të dhe u shpall e shenjtë nga një komunitet online, i cili e shpërndau mesazhin përtej kufijve kombëtarë. Pastaj është Shadi Sadr, avokatja e të drejtave të njeriut, e cila u rrah në mënyrë çnjerëzore, u kërcënua dhe më vonë u la e lirë. Të njëjtin fat pati edhe gazetarja Narges Mohammadi, zëdhënësja e organizatës "Qendra për mbrojtjen e të drejtave të njeriut", themeluar nga nobelistja e paqes, Shirin Ebadi, që u mbyll këtë vit. Shirin duhej të kishte ardhur në korrik në Itali për të marrë çmimin "Alexander Langer", por iu konfiskua pasaporta. Në vend të Narges erdhi Ebadi, gruaja që sot është avokatja më e famshme iraniane për të drejtat e njeriut. Në vitin 1969, dhjetë vjet para revolucionit islamik, ishte gjykatësja e parë femër në historinë e Iranit.

Përveç guximit, këto gra kanë të përbashkët një formim kulturor më të madh se bashkëkombësit e tyre, në fushën e avokatisë, mjekësisë gazetarisë etj.

Ebadi i Pakistanit është Hina Jilani, avokatja që në 1980-ën themeloi së bashku me të motrën, Asma, organizatën "Women‘s Action Forum", për të ndihmuar gratë të merrnin divorcin nga burrat e dhunshëm. Në vitin 1981 Hina krijoi studion e parë ligjore për femrat në Pakistan, duke u bërë shumë herë objektiv i sulmeve të dhunshme dhe i kërcënimeve brenda e jashtë zyrës së saj. Pesë vite më vonë i dha jetë Komisionit pakistanez për të drejtat njerëzore dhe u bë përfaqësuesja e parë speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në Afganistan, doktoresha hematologe, Habiba Sarabi, është guvernatorja e parë grua në provincën e Bamyan. Para se të emërohej në postin e guvernatores, ka qenë ministre e Punëve të Grave dhe ministre e Kulturës. Habiba kishte emigruar drejt Pakistanit pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Gjatë asaj kohe, punoi si mësuese për vajzat në kampet e refugjatëve. Pas rikthimit në Afganistan, ku mbi 80 për qind e femrave janë analfabete dhe kanë një jetëgjatësi deri në 45 vjeç për shkak të lindjeve, themeloi shoqatën për ndihmë humanitare për gratë dhe fëmijët.

Ding Dizilin, një ish-profesoreshë filozofie në Universitetin e Popullit në Pekin, që sot është 70 vjeçe, nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej liderja e opozitës. Gjithçka rridhte natyrshëm deri më 4 korrik të vitit 1989, kur Ding-ut i vranë të birin 17-vjeçar në sheshin "Tian An Men". Pas kësaj ngjarjeje të hidhur, Ding krijoi shoqatën "Nënat e Tian An Men", e cila mbështeste mijëra nëna që Deng Xiaoping i kishte privuar të kishin fëmijë, për të mos vënë në rrezik mbijetesën e regjimit komunist. Njëzet vjet më vonë, organizata u bë një simbol i fuqishëm politik. Në një shoqëri pa vlera etike dhe afektive, nuk mbijeton e vërteta; pa të vërtetë, nuk mund të ekzistojë drejtësi; dhe pa drejtësi femrat, por edhe meshkujt, nuk mund të jenë kurrë të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›