E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani zgjedh Milanin

Ka shënuar 8 herë në Serinë A sezonin që sapo u mbyll, ndërsa vetëm në 2006 kishte arritur të realizonte më shumë, plot 11. Ndër këta gola tepër të rëndësishëm për Çezenën e tij, sulmuesi shqiptar Erion Bogdani zgjedh atë në portën e Milanit si më të rëndësishmin, si më të dashurin që ka mbetur në kujtime.

“Jo vetëm sepse shënova ndaj Milanit, por edhe sepse ai gol erdhi në një moment të vështirë të karrierës sime, - thotë Erioni, për mediat italiane, - kisha shumë kohë që nuk shënoja. Por vlerësoj edhe dy golat ndaj Leçes, gola tepër të rëndësishëm për mbijetesën e Çezenës, por edhe një gol shumë, shumë vendimtar në portën e Barit, në fund të kampionatit”.

Pas një sezoni të lodhshëm, si në Itali ashtu edhe me kombëtaren shqiptare në eleminatoret e Euro 2012, sulmuesi 34-vjeçar ka marrë një periudhë pushimi dhe besohet se nuk do të lëvizë shumë si vitet e tjera. Kjo për arsyen e thjeshtë dhe të veçantë të praglindjes së fëmijës së tij të parë, një djali të cilit i është vendosur ndërkaq edhe emri dhe ky do të jetë Aleksandër.

Në pritje të fëmijës dhe ndërsa pushon për të “rikarikuar bateritë”, Bogu nuk harron edhe të ardhmen në futboll, pasi ai dëshiron të vazhdojë të luajë edhe më tej, pasi formën e mirë e tregoi këtë sezon. Ende nuk dihet asgjë se cila do të jetë kjo e ardhme, ndërsa vetë lojtari thotë se ofertat nuk mungojnë, disa prej tyre nga Greqia e Bullgaria. Gjithsesi, Erioni kërkon të respektojë klubin aktual ndaj edhe thotë se për momentin, emri më i rëndësishëm për të është Çezena.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›