E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani:Rinovimi me Kievon, më pengon të luaj

Kievo-Prej javësh e nis nga stoli, ndonëse si profesionist, Bogdani mendon vetëm të fitojë skuadra e tij. Por, kjo mungesë aktivizimi ka një tjetër arsye për bomberin shqiptar. Ai është në proces rinovimi të kontratës dhe gjithçka lidhet me politikat e klubit. është kjo arsyeja përse sulmuesi kuqezi do ta nisë nga stoli edhe ndeshjen e sotme kundër Milanit, në "San Siro". Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Bogdani flet edhe për ekipin kombëtar, duke lëshuar një deklaratë bombastike: "Ky është edicioni im i fundit me fanelën kuqezi".
Të dielën luhet Milan-Kievo, sytë e të gjithë Italisë janë aty pas humbjes së Interit...?
Nuk diskutohet, është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ne duam të sigurojmë sa më parë pikët për qëndrimin në Serinë A, ndërsa Milani tani kërkon të fitojë për titullin kampion. Ajo humbje e Interit mendoj se ka ndryshuar shumë situatën, pasi Milani do të kërkojë patjetër fitoren.
Në fazën e parë ju kanë mundur me dy gola në fund, nuk janë aq të pathyeshëm apo jo?
është e vërtetë, por për ne këtë herë do jetë shumë e vështirë. Fakti që ata luftojnë për kreun dhe që janë eliminuar nga Champions League e bën situatën shumë të vështirë, por ne do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë dhe të dalim me një rezultat të mirë.
Personalisht gjithnjë i ke pasur qejf sfidat e mëdha, si e pret këtë përballje me Milanin?
është e vërtetë që i preferoj shumë këto ndeshje, por të them të drejtën do ta nis nga stoli. Unë jam në bisedime për rinovimin e kontratës që më skadon në qershor dhe si rrjedhim, politikat e klubit më pengojnë që të aktivizohem rregullisht. Sidoqoftë do shpresoj që të fitojë skuadra ime dhe do jem gati për trajnerin.
Në fakt, e ke nisur sezonin titullar dhe ndeshjet e fundit po qëndron në stol, kjo lidhet pikërisht me kontratën?
Po, patjetër. Drejtuesit e klubit më ofrojnë një vit kontratë dhe unë dua dy. Në këtë pikë kemi ngecur. Por, problemi është se unë dua që kjo punë të mbarojë shpejt, pasi kam edhe oferta nga skuadra të tjera dhe më duhet ta zgjidh. Megjithatë është e qartë se kjo më ka penalizuar të jem titullar.
Ke patur ndonjë bisedim me drejtuesit e Kievos?
Vetëm para pak ditësh prokuratori im pati një takim me ta dhe kemi diskutuar çështjen e viteve. Unë edhe në janar pata oferta, siç ishte ajo e Katanias, dhe i refuzova pikërisht për të qëndruar dy vjet të tjera këtu.
Të kthehemi prapë te Milani, je tifoz me këtë skuadër dhe nesër (sot) do jesh kundërshtar...
Milanin gjithnjë e kam patur qejf, nuk e mohoj, megjithatë jam profesionist dhe skuadra e vetme që jam tifoz është Kievo.
Milanit i mungon Nesta, sa e rëndësishme është për ju sulmuesit?
Nesta nuk diskutohet që është një prej mbrojtësve më të mirë në botë, por kushdo që të luajë te Milani do jetë i tillë. Milani është një skuadër që nuk ka shumë lojtarë të dobët.
Të flasim pak kombëtaren, ndeshja e fundit me Irlandën e Veriut konfirmoi se ishit në formë, sa ju shërbeu ai takim?
Me Irlandën e Veriut unë luajta 45 minuta dhe dhashë maksimumin, por pjesa e parë për ne duhet thënë se ishte shumë e mirë. Përfituam pak edhe nga fakti se Irlanda nuk na sulmoi, por gjithsesi mendoj se treguam një lojë të shkëlqyer. Pastaj edhe terreni ishte mjaft i keq dhe nuk është se na la të shpreheshim në maksimum. Mendoj se ajo ndeshja na vlejti shumë, sidomos për moralin. Ishte shumë e rëndësishme që ne të fitonim. Një meritë e madhe i shkon edhe Kuzhesë që tani na njeh mjaft mirë.
U rikthye Lala, sa ndikoi në skuadër një lojtar i tillë, sidomos në aspektin taktik?
Për mendimin tim, futbollistë si Lala, Skela, Duro apo edhe unë, jemi ende të nevojshëm në ekipin kombëtar dhe nuk mendoj se qëndron ajo që thuhet se jemi të vjetër. Luajmë në kampionate shumë të forta dhe mënyra e stërvitjes, e përgatitjes, e profesionializmit është komplet tjetër. Skela e Lala përshembull luajnë në Bundesligë dhe nuk është se kemi shumë lojtarë të tillë. Personalisht, ky është sezoni im i fundit në ekipin kombëtar dhe shpresoj të jap maksimumin tim. Kuzhe tani na njeh mirë dhe ka mundësi të na vlerësojë nëse vlejmë apo jo.
Prej vitesh, kampionati shqiptar nuk eksporton më aq shumë lojtarë në Serinë A, Bundesligë, pse mendon se vjen kjo?
Mendoj se ka lidhje direkt me cilësinë e kampionatit. Në Shqipëri mund të themi se janë 12-13 futbollistë të një niveli të mirë, por ata duhet ta provojnë veten jashtë për të parë se ku janë. Unë kam luajtur në Shqipëri, në Kroaci dhe tani në Itali dhe mund të them se diferenca është shumë e madhe.
çfarë ndryshon konkretisht?
Fillon që te përgatitja fizike, që është baza për mendimin tim, pastaj ka shumë gjëra të tjera, që nga mënyra si sillen lojtarët, si përgatiten, si vishen, gjithçka. Këtu te Kievo përshembull profesionalizmi është në maksimum, janë 22 lojtarë që janë pak a shumë të të njëjtit nivel. Në Shqipëri nuk ndodh të gjesh skuadra të tilla.
Mos ndoshta futbollistët që luajnë në Shqipëri janë të kënaqur, pasi kuptohet marrin shumë herë më tepër se rroga mesatare e një punëtori të thjeshtë...?
Natyrisht që edhe kjo ndikon, megjithatë mua më bëhet qejfi për këtë. Shikoj tani në Shqipëri që vijnë futbollistë kroatë që luajnë, lojtarët tanë paguhen shumë më mirë. Kjo është një arritje kuptohet. Pastaj, niveli merret lehtë me mend që nuk është aq i lartë.

(A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›