E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanoviç: “Jo ndarje të Kosovës, ti rikthehet Serbisë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar, të mërkurën, në Mitrovicë se për Serbinë statusi i Kosovës është i pazgjidhur dhe se problemet duhet të zgjidhen me dialog. Zyrtarët e policisë në Mitrovicë kanë deklaruar se nuk kanë pasur njoftime zyrtare lidhur me vizitën e Bogdanoviçit në Mitrovicë.
“Nuk kemi pasur njoftime zyrtare për qëllimin e vizitës së tij“,- i ka deklaruar gazetës Besim Hoti, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë. Ai ka shtuar faktin se Bogdanoviç është banor i Kosovës dhe si i tillë nuk mund ti ndalohet hyrja në vend, me përjashtim nëse ka ndonjë vendim të organeve më të larta. Bogdanoviç ka qëndruar në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku gjenden zyrat e qeverisë së Serbisë për Kosovën, ku ka sjellë 44 vendime për dhënien e mjeteve për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ai ka thënë se është i papranueshëm integrimi i pjesës veriore në institucionet e Prishtinës.
Bogdanoviç
“Ne konsiderojmë se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende, sepse gjendja është e tillë që dikush ka fituar të gjitha, kurse ne serbët nuk kemi fituar asgjë”,- ka thënë Bogdanoviç. Ai i ka bërë këto komente duke u bazuar në deklaratën e djeshme të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili ka thënë se çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur. “Rrëfimet që dëgjohen nga diplomatët e caktuar ndërkombëtarë në Prishtinë, se Beogradi po bën çmos për ndarjen e Kosovës, janë absolutisht të pavërteta, sepse Kosova është pjesë territoriale e Serbisë”,- tha Bogdanoviç. Ai tha se zhvillimi ekonomik i zonave serbe në Kosovë dhe Metohi, është mënyra më e mirë për të siguruar mbijetesën e popullit, perspektivën dhe të ardhmen e të rinjve këtu. Bogdanoviç tha se janë përqendruar në krijimin e kushteve për normalizimin e jetës në zonat serbe, zhvillimin, kthimin e refugjatëve dhe për mbijetesën e qëndrueshme të popullit serb në krahinë.
Mbështetje serbëve
Ministri serb vuri në dukje se ky është konfirmimi më i mirë për seriozitetin dhe vendosmërinë e shtetit të Serbisë, kur është fjala për mbrojtjen e sovranitetit dhe ruajtjen e krahinës. "Qëllimi i këtyre kredive është kryesisht zhvillimi i komuniteteve serbe dhe për të inkurajuar punësimin e të rinjve", - tha Bogdanoviçi, duke shtuar se çdo punë e re ofron një mbijetesë dhe ekzistencë. Ai, në Mitrovicë, u ka premtuar edhe afaristëve serbë mbështetjen financiare nga Qeveria e Serbisë për, siç u tha aty, zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›