Bogdanoviç: Po presim përgjigje nga Brukseli

I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se Serbia pret përgjigje nga Brukseli për “iniciativën e saj për zgjidhjen e problemeve në Kosovë”.
“Situata është qetë. Me tension, por qetë”, ka thënë Bogdanoviç, duke shtuar se serbët do të qëndrojnë në barrikadat e tyre “derisa doganierët shqiptarë do të jenë në pikat në Bërnjak dhe Jarinje”.
I pyetur për afishet e KFOR-it, sipas të cilave bllokada e rrugëve nuk është mënyrë për të shprehur protestën, Bogdanoviç ka thënë se “barrikadat janë mënyra e vetme për të shprehur protestën ndaj akteve të njëanshme të Prishtinës”.
“Serbët e veriut të Kosovës janë të vendosur të mbrojnë interesat e tyre, dhe nuk duan që veriu i Kosovës të jetë nën kontrollin e Prishtinës”, ka thënë ai.
Serbia e ka dorëzuar një propozim në Bruksel, sipas të cilit doganierët dhe policët shqiptarë nuk duhet të jenë në pikat kufitare të veriut.