E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni,BDSH shpall Moratorium të veprimit politik

BDSH ka shpallur Moratorium të aktiviteteve të veta politike në kohë të pacaktuar. Ky vendim u miratua në mbledhjen e mbajtur të kësaj partie më 16 shtator në selinë në Tetovë.

Kuvendi Qendror i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH) në këtë mbledhje ka pasur vetëm një pikë të rendit të ditës lidhur me analizën e funksionimit të BDSH pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit të këtij viti.

Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të BDSH nga të gjithë degët ekzistuese të veprimit politik në Maqedoni dhe se pas analizave të bëra, dhe pas rrethanave të formuara me rastin e humbjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit, BDSH mori vendimin e moratoriumit, me ç`rast do të pushojnë së ekzistuari të gjitha organet partiake deri në sjelljen e vendimit të ardhshëm.

“Duke shpresuar se partia shqiptare në pushtet do të luajë rolin e partnerit të barabartë në qeveri dhe se do të angazhohet për heqjen e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, BDSH do të lejë hapësirë veprimi partisë fituese të zgjedhjeve dhe do të shpresojë në kohë më të përshtatshme për prezantim të platformës dhe veprimit të vet politik në Maqedoni”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik të udhëhequr nga veprimtari i njohur dhe themeluesi i UÇK-ve, Bardhyl Mahmuti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›