E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Dino ka bërë shumë për Kosovën

Me një minutë heshtje të mbajtur nga Kuvendi i Kosovës, ka filluar mbledhja komemorative për kryetarin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajn. Një fjalë rasti ka mbajtur, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se Dino ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur që do t’i mungoj të gjithëve.

Kryekuvendari ka thënë se Dino Asanaj në jetën e tij të shkurtër, bëri aq shumë për të mirën e vendit të vetë, për të cilën u përkushtua pa kursim.

Ai ka shtuar se në kushtet e Kosovës së robëruar, Dino i ri, ndonëse kishe mbaruar studimet profesionale më 1985 detyrohet t’ia kthej shpinën atdheut për një jetë më të sigurt në SHBA deri në vitin 1995.

Kreu i legjislativit ka theksuar se me punën dhe djersën e tij, Dino Asanaj ka arritur që të bëhet një nga mërgimtarët më të suksesshëm të Kosovës.

“Me punën, aftësitë profesionale dhe organizative me djersën e vet, arriti shpejtë bëhet një nga mërgimtarët e suksesshëm, përmes kompanisë së tij të projekteve banesore dhe komerciale. Edhe pse larg saj, Dino Asanaj nuk e kishte braktisur as harruar Kosovën e tij të dashur. Krahas punës së palodhshme, ai u angazhua me veprimtari shoqërore, politike, ushtarake e diplomatike në shërbim të vendit të vetë të robëruar”, ka theksuar Krasniqi.

Për më tepër, ai ka shtuar se kulmin e angazhimit në politikë, Asanaj e arriti si përfaqësues i UÇK-së në SHBA. Gjithashtu, kanë qenë të pareshtura angazhimet e tij në qarqet politike e diplomatike në SHBA dhe në vendet tjera.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe kontributin e tij si këshilltar në konferencën ndërkombëtare në Rambuje, për të cilën është dekoruar me Medaljen e Nderit.

Krasniqi ka thënë se Asanaj ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur që do t’i mungojë të gjithëve.

“Ai ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij procesi dhe për rëndësinë jetike të privatizimit. Dino Asanaj ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur dhe duhet thënë këtu që me virtytet e tij të larta ai kishte shumë miq, të cilëve d’ t’u mungojë gjatë. Ai do t’i mungojë edhe Kosovës për të cilën u angazhua shumë dhe aq gjatë”, ka theksuar Krasniqi.

Në fund të fjalimit, ai ka ngushëlluar familjarët e tij, miqtë dhe kolegët për humbjen e Dino Asanajt.

Nderimet nga deputetët janë bërë në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›