E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanoviq: Respektoj vendimin e Prishtinës

Beograd, 19 gusht - Bogdanoviq i ka kërkuar autoriteteve ndërkombëtare që të ndalojnë siç ka thënë ai  “këto sjellje të pakuptueshme të Prishtinës”.
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq i ka thënë BBC-së se ai do ta respektojë vendimin e qeverisë së Prishtinës për ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.
Bogdanoviq, që kishte planifikuar të vizitonte sot njërën nga enklavat serbe, është detyruar ta anulojë takimin me banorët e fshatit Prilluzhë.
“Unë do ta respektoj (vendimin e Prishtinës), nuk dua me asnjë hap timin që situatën edhe ashtu të keqe në Kosovë, ta përkeqësoj edhe më shumë”, i tha BBC-së Bogdanoviq.
Ai e ka cilësuar urdhëresën e qeverisë së Kosovës si provokim të radhës për serbët.
Qeveria në Prishtinë e ka arsyetuar vendimin e saj me mosrespektimin e formatit të vizitave nga ana e zyrtarëve serbë, duke i shfrytëzuar ato edhe për qëllime politike.
Bogdanoviq ka thënë se “ndalimi i vizitës sime sot në Kosovë e Metohi është edhe një tjetër në vargun e hapave të njëanshëm provokues të së ashtuquajturës qeveri e Kosovës. Sjellja e Prishtinës është e papranueshme dhe qëndrimi i saj i njohur ndaj pakicave nxit tensione dhe provokime. Mendoj se është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare, para se gjithash EULEX-i të ndërmerr hapa dhe të ndaloj sjelljen e pakuptueshme të Prishtinës dhe t’ia bëjnë me dije asaj se nuk mund t’i ndalojë njerëzit që jetojnë në Kosovë, që janë të lindur atje, që i kanë familjet në Kosovë të lëvizin në tërë territorin, pavarësisht çfarë funksioni apo roli kanë. Unë vërtet pyes se kujt i pengon vizita ime, e cila është dashur të ndodh sot në fshatin Prilluzhë. Unë kurdo që i kam vizituar njerëzit që jetojnë në Kosovë, mesazhet e mia kanë qenë në funksion të zgjidhjes paqësore të problemeve që ekzistojnë, kam bërë thirrje për dialog, kompromis, pajtim ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb. Asnjëherë nuk kam bërë thirrje për tensione dhe konflikte, apo larg qoftë për luftë ose diçka tjetër”.
Bogdanoviq, duke u përgjigjur në pyetjën se cili është qëndrimi i Qeverisë serbe rreth deklaratës nga autorë të panjohur që kërkonte pavarësinë e veriut të Kosovës, theksoi se “natyrisht që jemi kundër këtyre deklaratave, me deklarata nuk zgjidhen problemet që ekzistojnë në territorin e Kosovës, domethënë ne jemi kundër çfarëdo deklarate. Ne jemi që para se gjithash që në mënyrë paqësore dhe me kompromis të zgjidhen të gjitha problemet që ekzistojnë në Kosovë. është e qartë se kjo është një fantazi apo më mirë ta them një aventurë e disa njerëzve nga veriu i Kosovës që përpiqen ta tërheqin vëmendjen nga ana e tyre dhe në një mënyrë t’i bëjnë edhe më shumë dëm serbëve në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Ne jemi absolutisht kundër çfarëdo deklarate, kundër çfarëdo shkëputje, kundër çfarëdo ndryshimi të kufijve jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, rreth thashethemeve për “bisedime sekrete” ai tha se “kurrfarë bisedimesh të fshehta nuk ka patur as që do të ketë. Krejt çka bëjmë ne e bëjmë në mënyrë të qartë dhe transparente. Nuk kemi çka të fshehim. Nuk shoh arsye pse të takohemi fshehtas dhe të bisedojmë e të punojmë prapa shpinës së popullit. Unë besoj se edhe udhëheqësit shqiptarë dhe ata serbë këtu në Beograd duan që të zgjidhin të gjitha problemet në mënyrë transparente. Pra kurrfarë bisedimesh të fshehta as që ka patur as që do të ketë. Këto janë dëshmuar të jenë spekulime. Nëse ka patur biseidme të fshehta e unë kam qenë me qytetarët e Kosovës, pra ne kemi mundur edhe fshehtas të flasim për diçka. Por kjo është një e pavërtetë absolute”

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›