Pushteti në Kaçanik planifikon rritjen e tatimit, opozita kundër

Kaçanik, 19 gusht - Tatimpaguesit kaçanikas mot do të marrin fatura "më të rënda" të tatimit në pronë. Ngritjen e tarifave të tatimit në patundshmëri e kanë paralajmëruar zyrtarë përgjegjës komunalë, ndërsa opozita ka thënë të jetë kundër. "Rishqyrtimi i tarifave aktuale në funksion të ngritjes së tyre do të bëhet për objektet e banimit dhe ato afariste", ka theksuar Fikri Vërbani, drejtor i Drejtorisë së Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, të enjten. Ai ka nënvizuar se rritja e tarifave tatimit në pronë është futur në agjendë për shkak se ato aktuale janë në fuqi që nga viti 2004. "Tatimpaguesit janë të ndarë në 4 zona tatimore me tarifa të ndryshme", ka rikujtuar Vërbani, ndërsa ka lënë të kuptohet se ato i konsideron të ulëta. Në këtë rrafsh, vartësi i tij, Xhelal Dema, menaxher i Zyrës së Përhershme të Tatimit në Pronë, ka thënë se pronari i një objekti të banimi me 100 metra katrorë hapësirë në zonën e katërt tatimore deri sivjet është ngarkuar me vetëm 5 euro tatim. "Objektet e banimit me hapësirë të njëjtë në zonën e tretë janë tatimuar 10 euro, ato në zonën e dytë 15, ndërsa objektet në zonën e parë 20 euro", ka saktësuar Dema. Ai ka pohuar se deri në fund të shtatorit legjislativi komunal është i obliguar t'i miratojë tarifat e reja të tatimit në pronë për vitin 2011. Ndërkaq, partia më e madhe opozitare në KK të Kaçanikut, AAK-ja, ka thënë të jetë kundër idesë për ngritjen e tarifave të tatimit në pronë. Zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se rritja e paralajmëruar do t’i rëndonte buxhetet e familjeve kaçanikase. "Nga viti 2004 nuk ka pasur progres ekonomik në Komunën e Kaçanikut, por regres", ka deklaruar Shukri Luta, kryetar i Grupit parlamentar të AAK-së në legjislativin e Kaçanikut.