Flamur Noka, ministri i ri i brendshëm në qeverinë “Berisha”

I pari në listën e parlamentarëve të Qarkut Kukës, mjeku Flamur Noka, një figurë e njohur e kryesisë së PD-së, është emëruar nga kryeministri Berisha në funksionin e ministrit të Brendshëm, dikaster i lënë vakant, pas zgjedhjes së Nishanit si kryetar i shtetit. Shefi i qeverisë ka përcjellë dje edhe dekretet për ndryshimet ministrore, në dikasteret që sipas marrëveshjes bashkëqeverisëse mbahen nga LSI-ja
Kryeministri, Sali Berisha i ka paraqitur presidentit, Bamir Topi propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Nga radhët e mazhorancës është emëruar në postin e Ministrit të Brendshëm deputeti Flamur Noka.
Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, mësohet se, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Kushtetutës, kreu i qeverisë paraqiti propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Në bazë të këtyre propozimeve, pritet që të dekretohet, shkarkimi i Edmond Haxhinastos nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe emërimi në vendin e tij të Edmond Panariti në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme; shkarkimi i Petrit Vasilit nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe emërimi i Vangjel Tavos në detyrën e ministrit të Shëndetësisë; shkarkimi i Nasip Naços nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe emërimi i Edmond Haxhinastos në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës; si dhe emërimin e Flamur Nokas në detyrën e ministrit të Brendshëm.
Ndërkohë mësohet se, Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht Nasip Naçon dhe Petrit Vasilin për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë pasur gjatë qëndrimit në detyrat, respektivisht, si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe si Ministër i Shëndetësisë, për kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit.
Gjithashtu, Nasip Naço dhe Petrit Vasili nga ana e tyre falënderuan Kryeministrin Berisha për të gjithë bashkëpunimin që kanë pasur me të gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre dhe e garantuan se ata do të vazhdojnë këtë bashkëpunim në interesin më të mirë të mazhorancës dhe vendit.
Ndryshimet më të fundit në qeveri, erdhën si rezultat i dorëheqjes së Bujar Nishanit, nga Ministër i brendshëm, për shkak të zgjedhjes së tij si president i republikës, si edhe ëpr shkak të ndryshimeve të kërkuara nga LSI-ja.
Një ditë më parë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një deklaratë për mediat propozoi disa ndryshime në postet ministrore të LSI-së në kabinet, për shkak të përgatitjeve për konventën kombëtare të LSI-së.
Sipas kreut të LSI-së, Petrit Vasili dorëhiqet nga posti i Ministrit të Shëndetësisë për shkak të angazhimit të tij si kryetar i komitetit organizator për të përgatitur konventën e LSI-së. Në vend të tij LSI ka vendosur që Vangjel Tavo të propozohet në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, ndërsa Nasip Naço propozohet nënkryetar i Kuvendit. Edmond Haxhinasto propozohet si Ministër i Ekonomisë, i cili do vijojë të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit, ndërkohë që Edmond Panariti propozohet ministër i Punëve të jashtme.
Kreu i LSI, njoftoi edhe thirrjen e konventës kombëtare zgjedhore të LSI-së më 29-30 shtator., ndërkohë që më 22 shtator të gjithë anëtarët e LSI-së do të votojnë për kryetarin e ardhshëm të kësaj force politike, ku kandidat për kryetar është vetë kreu aktual Ilir Meta, por njëkohësisht edhe zgjedhja e delegatëve të konventës së fund shtatorit.
Kush është Flamur Noka, Ministri i Brendshëm
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 03.03.1971
Vendlindja: Kukës
Gjendja civile: I martuar
Edukimi:
1997: Përfundoi studimet në Universitetin e Tiranë, Fakulteti i Mjekësisë (Specializim, Onkologji)
Veprimtaria profesionale:
2003-2006: Mjek onkolog.
Veprimtaria politike:
1998-2000: Sekretar Organizativ i FRPD-së.
2000-2005: Sekretar i Përgjithshëm i FRPD-së.
2005 e në vazhdim: Sekretar Organizativ i PD-së.
Zgjedhur në:
Legjislatura: XVIII
Qarku: Kukës
Grupi dhe Komisionet parlamentare:
Grupi parlamentar: PD
Komisioni parlamentar: Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, anëtar. Komisioni për Ekonominë dhe Financat, anëtar.