E Diel, 1 Nëntor 2026

Boja paralajmëron njohje të reja

Nga Express më 20 korrik 2011 në ora 12:19

Kuvajti mund të bëhet shteti i parë islamik që do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës që pas miratimit rezolutës së Organizatës së Konferencës Islamike (OKI), ku u bëhet thirrje të gjitha shteteve të kësaj organizate për njohjen e Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të presë njohje masive nga vendet islamike, pavarësisht miratimit të kësaj rezolute. Njeriu i cili ka dhënë një kontribut shumë të madh në miratimin e kësaj rezolute, shumë të rëndësishme për Kosovën, ka thënë se kalimi i saj është edhe si rezultat dhe meritë e Republikës së Shqipërisë.

Sesionin e 38-të të Organizatës së Konferencës Islamike (OKI), që u mbajt ditë më parë në Kazakistan, u miratua unanimisht një rezolutë, e cila u bën thirrje 57 vendeve anëtare të organizatës që ta njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. I ngarkuari me punë i Kosovës në Rijad konsideron se kjo ishte një rezolutë që dallon prej rezolutave të mëhershme të kësaj organizate. Tre muaj para kësaj konference, sqaron ai, jam takuar me sekretarin e përgjithshëm të kësaj organizate Ekmeledin Ihsan Oglu, ku ia kam bërë me dije se Kosovës i duhen njohje sa më shumë prej shteteve të OKI-së. Atëherë, Ekmeledin Ihsan Oglu ka thirrur ekipin e vet dhe kanë filluar që ta përpilojnë një tekst më të fuqishëm se ato të mëparshmet. Në këtë drejtim Republika e Shqipërisë ka ndihmuar tej mase dhe vazhdon ta ndihmojë Kosovën.

Teksti paraprakisht i është dhënë edhe MPJ-së së Kosovës që ta shohë se a është i favorshëm që të dalë si rezolutë nga Konferenca e OKI-së. Më pas ky tekst është kthyer në Konferencën Islamike dhe është lëshuar si rezolutë që të votohet për të nga OKI. Kjo rezolutë është një thirrje shumë e fuqishme edhe nga shtetet që na kanë njohur dhe ato që nuk na kanë njohur që Kosova të njihet si shtet dhe të bashkëpunohet me të edhe nëse nuk ndodh njohja.

Duke folur për meritat rreth kësaj rezolute, Rexhep Boja thekson se për miratimin e saj një meritë të madhe ka Republika e Shqipërisë. Është fat që në fillim e mbarim të kësaj rezolute e kemi pasur shtetin amë. Gjithashtu, në këtë konferencë unë isha anëtar i delegacionit të Republikës së Shqipërisë, ngase Kosova nuk ka as anëtar të përhershëm, madje as vëzhgues në këtë Konferencë. Ne nuk kishim të drejtë të ishim pjesëmarrës, por në delegacionin e Shqipërisë është punuar shumë që ne të jemi prezentë dhe t’i prezantojmë pikëpamjet tona para ministrave dhe ambasadorëve të ndryshëm të shteteve islamike ku kemi kërkuar që rezoluta të aprovohet.

Pas kësaj rezolute, pohon diplomati Boja, është normale të presim njohje. Ato do të jenë individuale, por jo në afat të shkurtër kohor. Kuvajti është ndër vendet që është duke e shqyrtuar mundësinë e njohjes. Gjatë bisedave me ketë shtet thuhet që njohja ka mbetur vetëm të qitet në letër. Njohje presim edhe nga disa shtete të tjera që janë afër njohjes. Ka disa shtete që e kanë pranuar Kosovën si shtet, por janë çështje procedurale deri në zyrtarizim. Madje ka shtete që nuk na kanë njohur dhe kanë bërë thirrje që kjo rezolutë të miratohet, i tha “Zërit” Rexhep Boja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›