E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia gjen një mjet shpërthyes pranë godinës së EULEX

PRISHTINE- Sot rreth orës 09:00 policia nëpërmes rrugëve operativa ka marrë një informacion lidhur me prezencën e një mjeti shpërthyes të vendosur në një qese plastike afër ndërtesës së EULEX-it në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, bëri të ditur policia e Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar zonën e rrezikut dhe parandaluar ndonjë shpërthim eventual. Në të njëjtën kohë, në vendngjarje është dërguar në mënyrë urgjente edhe njësia e specializuar për eleminimin e mjeteve shpërthyese të cilët menjëherë kanë filluar kontrollimin në vendin e ngjarjes për të gjetur dhe konstatuar se për çfarë mjeti eksploziv bëhej fjalë.

Kontrolli i detajuar i vendngjarjes ka rezultuar me gjetjen e mjetit shpërthyes, granatë dore, e cila në mënyrë të kontrolluar është tërhequr nga vendi i ngjarjes. Për shkaqe sigurie përgjatë periudhës së kontrollimit të vendngjarjes dhe kërkimit për mjetin shpërthyes policia ka bllokuar segmentin e rrugicës ku është gjetur mjeti shpërthyes për ta liruar më pas atë për qarkullim normal.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›