Bojaxhi: Eksport energjie jo vetëm në Greqi
Shqipëria do të rrisë sasinë e energjisë që do shesë
KESH do të rrisë përfitimet me energjinë e eksportuar
Pas eksportit të energjisë që ka nisur Shqipëria prej disa ditës drejt Greqisë, KESH konfirmon se do të rrisë sasinë e energjisë së shitur. Lajmi është konfirmuar dje nga drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, gjatë vizitës që zhvilloi në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ku deklaroi se energji do të importohet edhe në vende të tjera fqinje me një çmim të lartë. Tashmë KESH ka lidhur një kontratë me kompaninë greke PPC dhe në vazhdim pritet të nënshkruhen kontrata të tjera për eksport të energjisë me kompani shtetërore të vendeve fqinje. Sipas Bojaxhiut, një mundësi të tillë e ka krijuar situata e mirë hidrike që po kalon vendi, e cila ka bërë të mundur të rritet prodhimi vendas. “Bilanci i prodhimit për këtë vit për KESH-in do të jetë pozitiv. Ne do të eksportojmë shumë energji dhe do të importojmë pak”, - u shpreh Bojaxhi. Prurjet e bollshme në rezervat hidrike po i mundësojnë korporatës të eksportojë energji aktualisht drejt Greqisë me një çmim të leverdishëm dhe të krijojë rezerva të mjaftueshme, por kjo, sipas drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Gjergj Bojaxhi, nuk do të ndodhte nëse nuk do të ishte ndryshuar kuadri ligjor dhe nëse nuk do të ishte ngritur njësia e posaçme, e cila merret me shitblerjet e energjisë. Bojaxhi ka theksuar se do të vazhdohet të eksportohet dhe kontratat do të lidhen me kompanitë shtetërore, gjë që do të sigurojë edhe shitje me çmime të larta, sipas tij. Eksporti i energjisë pritet të sjellë përfitime ndaj KESH-it, duke përmirësuar treguesit financiarë të saj, por sipas Bojaxhiut, përfitime do të këtë edhe konsumatori shqiptar. “Sot në kaskadën e Drinit kemi 1.1 milion kilovat/orë rezervë dhe kjo mund të përdoret për të sjellë përfitime, qoftë për KESH, qoftë për konsumatorët shqiptarë”, - u shpreh Bojaxhi. Përftimet do të jenë të larta, duke menduar se dhe çmimi që Shqipëria shet energjinë është i lartë, i cili varion nga 60 megavatorë në 80 euro megavat/orë në orët e pikut. Qeveria ka miratuar propozimin e METE-s, duke i hapur rrugë shitjes së energjisë elektrike edhe në situata të prurjeve normale, por gjithmonë duke respektuar furnizimin normal me energji elektrike të konsumatorëve tariforë dhe mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në transmetim, duke mundësuar optimizimin e portofolit ekonomik të korporatës. KESH për të njohur tendencat e tregut dhe me qëllim shitjen sa më ekonomike të energjisë elektrike, zhvilloi një procedurë e testimit të tregut, nga e cila rezultoi që oferta e shoqërisë PPC, Greqi, ishte më e leverdishmja. Pas përfundimit të procedurës përkatëse dhe bazuar në nevojën për energji elektrike nga ana e Korporatës Energjetike Publike Greke, PPC s.a., KESH-i negocioi me këtë kompani një kontratë shitjeje të energjisë elektrike. Bazuar në këtë kontratë, KESH sh.a. do t’i shesë PPC s.a.-së, energji elektrike 8 orë në dite në intervalet kohore 09.00-13.00 (4 orë) dhe 16.00-20.00 (4 orë), nga dita e hënë deri në ditën e shtunë, me një kapacitet 200 MW në total, ku 100 MW do të garantohen nga KESH sh.a. dhe 100 MW të tjera me marrëveshje dypalëshe ditore sipas rastit. Sasia totale që do të kontraktohet sipas kësaj marrëveshjeje do jetë deri në 52.800 MWh, nga të cilat vetëm 26.400 MWh do të jenë të garantuara.
Lëvrimi i energjisë elektrike drejt Greqisë ka filluar në datën 22 janar 2009 (ora 09:00, ora lokale evropiane) dhe do të përfundojë më datë 28 shkurt 2009 (ora 20:00, ora lokale evropiane). Çmimi/njësi i shitjes së energjisë elektrike drejt PPC-së, do të jetë çmimi/njësi i bursës së Greqisë për çdo orë – (minus) 4%, ku rreth 4% janë humbjet e transmetimit të HTSO dhe çmimet e bursës nuk i përfshijnë këto humbje. Bursa greke administrohet nga HTSO (OST greke).
Fierza arrin në nivelin 289.3 metra
Niveli i liqenit në hidrocentralin e Fierzës gjatë ditës së djeshme ka arritur në 289.35 metra, ndërsa prurjet llogariten 350 m3/sek. Burime zyrtare të KESH bëjnë me dije se prurjet në liqenin e hidrocentralit të Fierzës, krahasuar me javën e parë të muajit janar, janë dyfishuar si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit dhe shkrirjes së dëborës. Prurjet e ujërave janë rritur gjithashtu edhe në liqenin e HEC-it të Komanit duke arritur 180 m3/sek, ndërsa në Vaun e Dejës në 120 m3/sek. Por rritja e prodhimit ka rritur sasinë e energjisë të hedhur në rrjetin e shpërndarjes, duke plotësuar kështu kërkesën e konsumatorëve, ku konsumi ditor i energjisë elektrike nga konsumatorët në të gjithë vendin në ditët e fundit ka arritur në 20.5 milionë kilovat/orë. Prodhimi ditor i energjisë elektrike nga HEC-et arrin në 16.5 milionë kWh/ditë, ndërsa importohen 4 milionë kWh/ditë. Kjo ka qenë arsye që KESH ka ulur sasinë e energjisë së importuar nga 5 milionë kWh në ditë në 3 milionë kWh në ditë.