E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare fiton çmimin I

Tiranë - Për herë të parë këtë vit u akordua “Çmimi i madh i letërsisë”,i cili ju dha Shkrimtarit të madh Ismail Kadare për veprën “Darka e Gabuar”. Në fjalën e tij, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango u shpreh se “Përkujdesja ndaj librit dhe krijuesve të tij, përbën një ndër obligimet kryesore të dikasterit tonë, duke e konsideruar librin, jo vetëm një ndër vlerat themeltare të kulturës sonë, por edhe si një dukuri që reflekton stadin e emancipimit shpirtëror të shoqërisë sonë.”

“Më lejoni të deklaroj se këtë vit, për herë të parë në gjithë historikun e këtyre edicioneve, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të akordojë Çmimin e Madh të Letërsisë, i cili ka për qëllim të evidentojë dhe vlerësojë atë vepër letrare e cila ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimet e Letërsisë bashkëkohore”, tha ai.

Çmimet e tjera janë si më poshtë:

“Çmimi Gjergj FISHTA”. Ky çmim, do t’i jepet atij autori që me esenë e tij ka ndikuar në në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar. E fitoi Artan Fuga me vepren ‘Brirët e Dhisë”.

“Çmimi Faik KONICA”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që me anë të studimit ose kritikës, që përgjatë një viti me veprën e tij ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare. E fitoi Jorgo Bulo me “Veprën e plotë të Çajupit”

“Çmimi Fan NOLI”. Ky çmim do t’i jepet atij përkthyesi shqiptar dhe të huaj, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga Letërsia botërore. E fituan Pashk Gjeçi dhe Faustin Çucka per Perkthimin e ‘Faustit “ të Gëtes.

“Çmimi Petro MARKO”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që me romanin e tij, ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e Letërsisë evropiane. E fitoi Shkrimtari Mehmet Kraja me vepren “Selvitë e Tivarit”.

Çmimi “MIGJENI”. Ky çmim do t’i jepet atij autori debutues, i cili me krijimtarinë e tij të botuar përgjatë një viti, ka mundur të përcjellë tek lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar. E fitoi Albana Shala me veprën “Papa Dixhital”.

“Çmimi Lasgush PORADECI”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që përgjatë një viti, me veprën e tij poetike ka përcjellë te lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqipe. E fitoi Prec Zogaj me vëllimin “Gjallë unë pashë”.

Çmimi “Jusuf VRIONI”. Ky çmim do t’i jepet atij përkthyesi i cili ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kultura të huaja. E fitoi John Hodgson.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›