Olldashi: Bashkia s’ka fonde për Unazën e Madhe, dorëzoni projektin!
Shalsi: I kërkojmë qeverisë të bëjë detyrën e saj ligjore, pra shpronësimet
Unaza e Madhe konsiderohet e domosdoshme për të çliruar Tiranën nga trafiku
Olldashi: Bashkia të bëjë publike fondet dhe burimet për Unazën
Projekti i Unazës së Madhe, prej tre vitesh pritet të vihet në zbatim
Bashkia e Tiranës: Ndërtimi i projektit do të përfundojë në vitin 2012
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i kërkoi sërish Bashkisë së Tiranës të dorëzonte projektin për ndërtimin e Unazës së Madhe. Duke e konsideruar këtë si "projekt të madh infrastrukturor", ministri Olldashi gjatë një konference për shtyp është shprehur se “ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës vërtitet prej kohësh si objektiv për Tiranën, por që nuk është realizuar deri më sot, pasi kjo Bashki nuk i ka fondet për ndërtimin e saj”. Më tej, ai shtoi se MPPTT ka gati fondet dhe është në dispozicion të bashkisë për ta ndihmuar në këtë projekt, me qëllimin e mirë që ky projekt të realizohet sa më shpejt.
Projekti
Projekti i Unazës së Madhe vazhdon të jetë pikë sherri mes qeverisë dhe pushtetit lokal. Debati ka filluar të ndizet akoma më shumë kohët e fundit, kur Bashkia e Tiranës, siç pretendon se ka një projekt për këtë segment, ende nuk ka nisur të vërë në zbatim. Vonesa për zbatimin e projektit ka shkaktuar reagimin e qeverisë përmes ministrit Olldashi, i cili i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Rama, që t’i vihet në dispozicion ministrisë së tij projekti i Unazës dhe i segmentit nga ura e Shkollës Teknologjike deri në kryqëzimin te “Rruga e Elbasanit”.
"Prej 22 ditësh nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare, kemi marrë vetëm gënjeshtrat sistematike të bashkisë që ne të mbarojmë shpronësimet, ndërkohë që ne e kemi mbyllur fazën tonë dhe gënjeshtrën tjetër, që ndërkohë bashkia i ka fondet, ndërkohë që bashkia nuk i ka ato", - vijoi Olldashi.
Shpronësimet
Nga ana tjetër, i ashpër ka qenë reagimi i nënkryetarit Eduard Shalsi. Ai tha se “Bashkia e Tiranës nuk ka projekt për të dorëzuar, por ka projekt për të zbatuar. Ajo që ne kërkojmë nga qeveria është vetëm të bëjë detyrën e saj ligjore, pra shpronësimet”.
Ndërkohë, lidhur me shpronësimet, kreu i MPPTT-së deklaroi se "procedura për shpronësime është e miratuar që në qershor të vitit 2008, me një vendim të komisionit të shpronësimeve dhe nga ky moment të gjitha detyrimet e MPPTT për të paguar vleftën e shpronësimeve quhet të ezauruara", duke shtuar se "tashmë është vetëm çështje pagese". Në këtë drejtim, ai shtoi se në momentin që fillon realizimi i projektit, ne paguajmë qytetarët për vlerën që i përket në bazë të një vendimi të marrë tashmë prej 7-8 muajsh nga komisioni i shpronësimit.