E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare, i pari çmim i madh kombëtar



Dje ceremonia e çmimeve të letërsisë kombëtare, nderohen shtatë njerëz të letrave, dy çmime nuk ndahen, çmimi për tregimin dhe letërsinë për fëmijë. Juria: Kishin nivel mesatar dhe mediokër

Ismail Kadare merr për herë të parë çmimin e madh kombëtar të Letërsisë. Pasi ka dalë jashtë përdorimit, emërtimet e “pendës” për çmimet kombëtare të letërsisë, që akordohen nga Ministria e Kulturës, dje, me romanin “Darka e gabuar”, Kadareja është vlerësuar për mjeshtërinë e jashtëzakonshme. Për jurinë ka qenë libri absolut i vitit, si dhe më i miri i shkruar nga Kadare, duke iu bashkangjitur mendimit të vetë shkrimtarit për këtë roman, që e cilëson si krijimtarinë e tij më të mirë. Pas dhënies së çmimit nga ministri i Kulturës, Ylli Pango, Kadare përkundër politikës zyrtare të këtij çmimi, u shpreh: “Lexuesi shqiptar po i kthehet kohëve të mira”. Juria me kryetar Mark Markun dhe anëtarë shkrimtarin Zija Çelën, Mirela Kumbaron, Parid Tefericin dhe Agron Gjekmarkaj dha këto çmime sipas gjinive:

“Çmimi Gjergj Fishta”. Ky çmim i jepet atij autorit që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar. Këtë vit e fitoi Artan Fuga me veprën “Brirët e Dhisë”.

“Çmimi Faik Konica” jepet për atë autor që me anë të studimit ose kritikës, përgjatë një viti me veprën e tij ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare. Këtë çmimi e fitoi Jorgo Bulo me “Veprën e plotë të Çajupit”.

“Çmimi Fan Noli” jepet për përkthyesin shqiptar dhe të huaj, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga letërsia botërore. E fituan Pashk Gjeçi dhe Shpëtim Çucka për përkthimin e “Faustit” të Gëtes.

“Çmimi Petro Marko” jepet për autorin që me romanin e tij, ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e letërsisë evropiane, të cilin e fitoi shkrimtari Mehmet Kraja me veprën “Selvitë e Tivarit”.

Çmimi “Migjeni” iu dha autorit debutues, i cili me krijimtarinë e tij të botuar përgjatë një viti, ka mundur të përcjellë tek lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar, e fitoi Albana Shala me veprën “Papa Dixhital”.

“Çmimi Lasgush Poradeci”, ky çmim iu dha Preç Zogajt për vëllimin “Gjallë unë pashë”, me motivacionin që përgjatë një viti, me veprën e tij poetike ka përcjellë te lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqipe.

Çmimi “Jusuf Vrioni”, ky çmim për përkthyesin i cili ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kultura të huaja. Ky motivacion shkoi për John Hodgson.

Ndërsa kanë mbetur pa çmim gjinia e tregimit dhe e letërsisë për fëmijë. Sipas jurisë, për tregimin prurjet kanë qenë në nivelin mesatar, që nuk sillnin asgjë të re për letërsinë, ndërsa për letërsinë për fëmijë, asnjë autor nuk ka qenë i vlefshëm për t’u gjykuar si letërsi serioze.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›