E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: Nga ndërtimet me termoizolim do të kursenim 20% të energjisë

Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe KESH, për kursimin e energjisë elektrike, vijoi dje përmes një bisede informuese dhe sensibilizuese me nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemali", në Tiranë. Gjergj Bojaxhi, drejtuesi i KESH, tha përpara nxënësve se nëse ndërtesat e ndërtuara pas viteve ‘90, do të kishin termoizolim, atëherë do të kishte më pak konsumim të energjisë elektrike, në stinën e dimrit.

"Në qoftë se rendimenti i përdorimit të energjisë elektrike, në Shqipëri do të ishte në standardet evropiane, ne sot do të konsumonim të paktën 20 për qind më pak energji. Nëse mbas vitit ‘90 të gjitha godinat e reja do të ishin ndërtuar me termoizolimin e duhur, të paktën 10-15 për qind e konsumit të energjisë elektrike në dimër do të ishte më i ulët se sa sot. Këto janë gabime që ne i kemi bërë gjatë disa dekadave dhe duhet që tani dhe me ligje, dhe me vendimmarrje politike, por edhe me edukim, ne kemi mundësi që t‘i përmirësojmë në të ardhmen që të mos kemi këtë rendiment dhe këtë eficencë ekonomike që kemi sot", theksoi drejtori i KESH-it.

Ndërsa ministri i Arsimit, Fatos Beja, tha se "do të vijojmë të bashkëpunojmë, në mënyrë që ato që ju i merrni në mënyrë teorike në mësimet tuaja, gjatë mësimeve të përditshme, por dhe gjatë orëve të lira t‘i angazhoni në jetën tuaj të përditshme".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›