E Diel, 1 Nëntor 2026

Një program kompjuterik rikthen ë-në dhe Ç-në

Mungesa e një tastiere në shqip, të përshtatshme për përdoruesit e kompjuterit, është një nga shumë problemet që ka sot gjuha shqipe. Një program i ri i paraqitur ditët e fundit nga siti www.pasioni.net përpiqet ta zgjidhë në mënyrë të suksesshme. Gjatë instalimit kërkohet një fjalëkalim, që mund të merret thjesht duhet dërguar një e-mail në adresën tastierashqip@pasioni.net, dhe që menjëherë, në mënyrë automatike i dërgohet përdoruesit pa kërkuar asnjë miratim.

Programi mund të instalohet apo çinstalohet sipas dëshirës. Në të njëjtën kohë, përdoruesit ruajnë në kompjuterin e tyre dhe konfigurimin e tastierës anglisht (apo tjetër gjuhë) dhe midis dy tastierave mund të kalohet thjesht me një klikim të "mouse"-it.

"Është një problem teknik që mund të ishte zgjidhur me kohë. Neglizhimi i drejtshkrimit të shqipes na ka sjellë deri në këtë pikë", thotë autori i programit, Dritan Kiçi. Programi për instalimin e tastierës shqip mund të shkarkohet falas në faqen e mësipërme. Tastiera shqip ka qenë pjesë e sistemit operativ të Windows, që me versionin 3.1 të saj, por konfigurimi ishte mbështetur mbi makinat e vjetra të shkrimit. Harta e karaktereve kishte një ndër problemet më të mëdha rokadën e karaktereve "Z" dhe "Y", në raport me hartat e tjera të tastierave evropiane. Tastiera Shqip Version 1.0 Demo është mbështetur në hartën e karaktereve të tastierës amerikane, USA International, që ka qenë më e përdorura në Shqipëri. Të gjithë e dinë germën "w" që në fund të shkrimit duhet zëvendësuar me "ë". Apo "cc" që zëvendësohet me "ç". Në vend të shkronjës W, Tastiera Shqip sjell germën Ë, duke mos kërkuar asnjë ndryshim zakoni në të shkruar nga përdoruesit që përdorin W në vend të Ë-së. Versioni i paraqitur eliminon një herë e përgjithmonë këtë problem duke përmirësuar ndjeshëm drejtshkrimin, shpejtësinë e shkrimit dhe shumë probleme të tjera, estetike, ligjore dhe gjuhësore. Autori i programit, aktualisht kryeredaktor i versionit shqip të revistës amerikane PC World, shpjegon se "janë bërë shumë tentativa për të përmbushur kërkesat për përdorimin e germave Ë dhe Ç, por në asnjë rast nuk ka pasur zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Në shumicën e rasteve janë kufizuar në programe të veçanta si Firefox apo Internet Explorer". Instalimi i programit zgjidh përfundimisht këtë problem, duke mundësuar përdorimin e dy germave më të diskriminuara të shqipes, kudo, në çdo program kompjuteri apo faqe interneti. Për shkak se është falas dhe i thjeshtë, instalimi i programit nga administrata do të sillte rregullim të menjëhershëm të dokumentacionit zyrtar, por për këtë duhet një ndërhyrje nga instancat përkatëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›