E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 bursa studimi për kualifikim profesional për gra të papuna

Bashkia e Tiranës ka ofruar dje 50 bursa studimi për kualifikim profesional, si në sekretari, rrobaqepësi, apo kujdestari fëmijësh, për gra të papuna. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, tha se do të ndërmerren sërish projekte të tilla dhe se ky është një hap përpara për të luftuar papunësinë, e cila sipas tij sa vjen dhe thellohet, pasi nuk ndiqen politikat e duhura.

"Papunësia është një plagë që po thellohet përditë, edhe për faktin se prej vitesh mungojnë politikat largpamëse për punësimin, mungojnë ato rrugë që u japin mundësinë njerëzve", u shpreh Rama. Kryebashkiaku i Tiranës tha se bashkia do të synojë për këto kurse kualifikimi, pasi zanatet e ndryshme në vend sa vijnë dhe zhduken. Kjo, sipas tij, sepse mungon arsimi profesional, ndërkohë që shumë nga ata që mbarojnë universitetet, mbeten të papunë. "E vetmja zgjidhje që ofrohet për papunësinë e të rejave dhe të të rinjve është shqyerja e dyerve të universitetit, pa kriter dhe pa para, duke bërë që një turmë e madhe të rejash e të rinjsh që mbarojnë shkollën e mesme të përgjithshme e janë të papunë, kthehen pas pesë vitesh në të shumtën e herës, nga të papunë pa diplomë në të papunë me diploma që nuk u hyn në punë", vijoi Rama. Ai theksoi se ky projekt i bashkisë, i mbështetur dhe nga shoqata dhe fondacione të ndryshme, do të shtrihet dhe në të gjithë Tiranën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›