E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbetet pa aleatë, xhelozi mes dy palëve



Në fushatë Edi Rama nuk i përfilli aleatët, madje pati akuza nga ata për vjedhje votash, ndërsa pas zgjedhjeve i vuri në tribunat e mitingjeve. Tashmë duket se ka mbetur prapë vetëm, edhe pse e zgjeroi aleancën me disa protagonistë të djathtë. Në PS thonë se nuk ka asnjë konflikt, por pas disa javëve sërish aleatët do t’i bashkohen PS-së në protestat e saj kundër qeverisë. Por aleatët s’mendojnë kështu. Krerët e partive të majta janë të zhgënjyer që Rama nuk u telefonoi për protestën e Durrësit e më pas atë të Beratit. Ata shohin që diçka nuk shkon, pasi ndihen të fyer nga neglizhenca e Ramës në një kohë që vendimet merreshin në mënyrë kolegjiale me tryeza të përbashkëta. Ndërkaq të djathtët duket se s’janë aq të shqetësuar. Burime nga partitë jashtëparlamentare të së djathtës bëjnë të ditur për “standard” se s’ka asnjë konflikt, pasi është lënë që në janar ata t’i bashkohen PS-së në protestat e tjera. Ajo që duket se po ndodh realisht është një xhelozi mes dy palëve të aleatëve, e shprehur kjo në mënyra të ndryshme, por jo e artikuluar publikisht. Të majtët që janë aleatë tradicionalë të PS-së nuk ndihen shumë rehat nga vëmendja që ajo u kushton protagonistëve që iu bashkuan nga e djathta shumë kohë pas zgjedhjeve. Bëhet fjalë për Spartak Ngjelën e Nard Ndokën, të cilët flisnin në çdo podium të socialistëve, por dhe për eksponentë të LSI-së, të cilët u larguan nga ajo në momentin që Meta bëri koalicion me Berishën. Ndërkaq kreu i PDS-së, Paskal Milo, flet hapur dhe thotë se PS i ka shmangur pa arsye. “Nuk kemi pasur asnjë informacion apo asnjë kontakt për mënyrën se si do të organizoheshin këto mitingje-proteste nga ana e PS-së, gjithnjë duke shkuar me bindjen që aleatët njoftohen zakonisht në fund. Ne kemi pritur një njoftim në fund, më konkretisht për dje paradite, por nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe për rrjedhojë nuk kemi qenë prezent në mitingun e PS-së të organizuar në qytetin e Durrësit, përpos nevojës për konsultime reciproke ose për një informim minimal që aktivitetet PS ka vendosur t’i zhvillojë vetë dhe pa praninë e aleatëve”, - tha Milo. Ne takimin e fundit të aleatëve, - thotë Milo, - është diskutuar në grup pa bërë dallime, duke marrë si të mirëqenë bashkëpunimin për protestat. “Nuk ishte se ishte përcaktuar një kalendar veprimesh protestuese të kësaj natyre që po shohim dhe pas atij takimi nuk kemi pasur konsultime të tjera rreth mënyrës si do të veprojmë tani e në të ardhmen. Ndoshta gjatë ditëve në vijim do të kemi ndonjë takim, që të sqarohemi për taktikat e reja që ka adoptuar PS-ja për vazhdimin e protestave”, - tha Milo.

Protesta në Berat, vetëm 100 vetë

PS vendos t’ia dalë pa aleatët në protestat e dhjetorit, por duket se ritmi i protestave nuk ecën në mënyrë të ngjashme me ritmin e njerëzve. Në një nga bastionet socialiste siç është qyteti i Beratit, Edi Rama nuk ka arritur të mbledhë ndonjë turmë entuziaste, përkundrazi vetëm një grup militantësh, aq sa mund të mblidhen dhe në një dasmë tradicionale shqiptare. Rama ia vuri fajin shiut që binte për pjesëmarrjen e ulët, po megjithatë entuziazmi në radhët e militantëve të PS-së duket se ka rënë ndjeshëm. Ndërkaq Rama ka preferuar të flasë vetë dhe dy deputetë të Beratit, ndërkohë që i treti Marko Bello që ka dalë kundër Ramës që pas zgjedhjeve nuk ka marrë pjesë. Në Berat Rama tha se “ne do ta bëjmë 2010 vitin e ndarjes me këtë pushtet. Kjo Shqipëri që nuk jep shpresë për liri të të gjithëve e as barazi të të gjithëve para ligjit, po lirinë ia jep veç familjes në pushtet, nuk mund të jetë atdheu i qytetarëve shqiptarë për vitin 2010. Ne do ta bëjmë 2010 vitin e kthimit të atdheut në duart e qytetarëve shqiptarë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›