Ish-ndërmarrjet bujqësore, si do verifikohen tokat
Qeveria miratoi dje dy udhëzimet për këtë procedurë
Qeveria i hap rrugë verifikimit të titujve të pronësisë edhe në tokat bujqësore që i përkisnin ndërmarrjeve bujqësore dhe zonave të zhvillimit me përparësi turistike. Me një udhëzim të miratuar dje caktohet procedura e mënyrës së verifikimit të pronësisë për këto kategori, duke i dhënë të drejtën Komisionit Vendor të Verifikimit që me iniciativën e tij të ketë të drejtën të nisë dhe të kontrollojë në mënyrë të plotë pronësinë në këto dy kategori. Sipas vendimit të djeshëm, pas përcaktimit të pronësisë që duhet të verifikohet, ka nevojë për “vulën” e prefektit të rrethit, për të nisur punën me verifikimin e plotë të titullit të pronësisë.
“Drejtori i komisionit vendor, në bazë të programit vjetor të miratuar për veprimtaritë e kontrollit dhe verifikimet, përgatit urdhrin e kontrollit, i cili miratohet nga prefekti i qarkut”, theksohet në udhëzim. Sipas tij, në urdhrin e përgatitur përfshihet objekti i kontrollit, qëllimi i tij dhe afati i kryerjes së kontrollit. Po kështu udhëzimi detyron drejtorin e KV-së dhe prefektin që t’i paraqitet kërkesë zyrtare të gjitha institucioneve, prej të cilave do të marrin në dorëzim dokumentacionin që do të kontrollohet. Kështu dokumentacioni, i cili do t’i nënshtrohet kontrollit, do të mblidhet nga institucione si hipotekat, seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut, kryetarit të komunës apo të bashkisë, seksionit të urbanistikës, në këshillin e qarkut, Zyrës Rajonale të Arkivit të Shtetit dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Në bazë të informacionit dhe dokumentacionit që do të merret nga këto institucione, KV-ja do të provojë nëse titulli i pronësisë në tokat bujqësore që i përkisnin ndërmarrjeve bujqësore dhe zonave të zhvillimit me përparësi turistike, është i merituar apo i falsifikuar. Udhëzimi parashikon që në rastet kur pas procesit të verifikimit, vërehet se aktet janë në kundërshtim me rregullat për marrjen e tokës në pronësi, KV-ja vendos për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë dhe i drejtohet gjykatës me kërkesë për deklarimin e pavlefshmërisë së saj. Parashikohet gjithashtu që titulli i pronësisë të hiqet vetëm për një pjesë të truallit, në rast se mënyra e marrjes së saj bie në kundërshtim me aktet ligjore.
KV-ja është e detyruar që për të gjitha aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilat vendos plotësimin e tyre, të mbajë një regjistër të veçantë. Por në mënyrë të qartë nuk lejohet që plotësimi i mangësive apo parregullsive të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, nuk mund të synojë ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë, apo shtimin e sipërfaqes së tokës bujqësore. Nga ana tjetër, udhëzimi i jep të drejtën KV-ve të ndjekin të njëjtën procedurë kontrolli edhe për ato sipërfaqe të tokës bujqësore që janë kaluar në pronësi, por nuk janë pjesë e ndërmarrjeve bujqësore apo të parashikuara për destinacion turistik. KV-ja mund ta kryejë ketë veprim në rast se ka informacioneve të ndryshme, të paraqitura nga institucionet shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore.
#