Bojkoti, PS i mungojnë mandatet
Mungesa e mandateve të deputetëve socialistë rrezikon legjitimitetin e kërkesës së PS-së drejtuar Kushtetueses. Kërkesa e PS-së dhe partive të vogla drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta detyrojë këtë të fundit të shqyrtojë vlefshmërinë e kësaj kërkese për shkak të përcaktimit ligjor në Kushtetutë dhe në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. “Partitë politike mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm për çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre si parti”, kështu është përcaktuar në nenin 134 pika 1/f. Në këtë mënyrë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen për të parë fillimisht nëse të paktën njëra nga partitë që ka firmosur, ka të përfshirë në ndonjë nen të statutit të saj çështjen e ruajtjes së integritetit territorial të kufijve. Kjo do të jetë një pikë e debatueshme në Kushtetuese, ku anëtarët e saj pritet të shprehin vlerësimin e tyre për këtë pikë.