Meta: Pakti u shty për transparencën
Parlamenti shtyu ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë për të bërë transparencën ndaj të gjitha çështjeve të ngritura në publik. Këtë e bëri të ditur dje zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një interviste televizive. Sipas tij, të gjitha shqetësimet e publikut dhe akuzat e opozitës do të marrin përgjigje gjatë diskutimit në seancën parlamentare, teksa hodhi poshtë cilësimin si të fshehtë arritjen e këtij pakti. “Çështja ka qenë në rendin e ditës së Kuvendit në atë vijimësi normale të gjithë akteve që kalojnë nga qeveria në Parlament. Sigurisht duke pasur një sensibilitet të veçantë, kjo është një çështje e cila meriton një vëmendje edhe më të madhe, një transparencë edhe më të plotë për të cilën qeveria është e gatshme që ta ofrojë në të gjitha rastet. Ne kemi premtuar se në Parlament kur kjo marrëveshje të hyjë në rendin e ditës do të ketë një marrëveshje shumë të plotë për të gjitha shqetësimet dhe spekulimet që janë ngritur deri tani. Nuk ka pasur ndonjë qëndrim për të kaluar marrëveshja me shpejtësi apo në fshehtësi. Për t’i dhënë kohë më shumë të gjithëve që të jenë të bindur dhe të bëjnë një proces transparent, i cili natyrisht që pikën e vet të transparencës do ta ketë në Kuvend”, theksoi Meta. Duke komentuar deklaratat e Partisë Socialiste për faljen e një pjese të territorit fqinjit tonë jugor, ministri i Jashtëm i bëri ftesë sërish asaj për t’ia shpjeguar termat e marrëveshjes dhe të gjitha shqetësimet e ngritura. Kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh i bindur se në arritjen e këtij pakti asnjëri prej vendeve nuk ka dalë as i humbur, as i fituar. “Ekspertët tanë janë të bindur që as është fituar, as është humbur asnjë milimetër. Unë habitem kur dëgjoj sikur kjo çështje është bërë brenda natës dhe në fshehtësi të madhe, përkundrazi këtu ka pasur për një periudhë të konsiderueshme diskutime, negociata, debate dhe nuk kam asnjë arsye të besoj se dikush, që ka ikur nga puna është më atdhetar se sa disa njerëz të tjerë që mbajnë përgjegjësi për çdo veprim apo përllogaritje të gabuar”, vijoi më tej Meta. Sipas ministrit të Jashtëm, i vetmi problem në këtë rast do të ishte fakti që gjatë negocimit të marrëveshjes Greqia do të përfitonte më shumë territor, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Por ai theksoi sërish se parimi bazë i arritjes së këtij pakti për përcaktimin e vijës detare mes dy vendeve ka qenë ai i ekuidistancës dhe i bazuar në Konventën Ndërkombëtare të Detit. I pyetur mbi nismën e fundit të Partisë Socialiste dhe disa forcave të tjera politike të majta dhe të djathta për ta çuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, ministri i Jashtëm theksoi se: “Opozita mund të ndërmarrë iniciativat që i gjykon ajo më të arsyeshmet, por opozita i ka të gjitha mjetet institucionale për të bërë verifikimet e sakta dhe zyrtare për pretendimet që ngre dhe kjo ka qenë arsye që e shpreh hapur për t’i pritur në Ministrinë e Jashtme në çdo moment për t’i dhënë shpjegimet”. I pyetur mbi qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve të LSI-së lidhur me këtë çështje, Meta tha se “unë kam qenë i rezervuar për tu shprehur. Kjo transparencë që po bëhet sot duhej bërë me kohë, ndërsa për deklaratat që jepen të zotit Pesha apo të cilitdo tjetër, këto janë deklarata që tregojnë që edhe LSI ka mendimet e veta të pavarura”. Prej disa javësh opozita ka akuzuar Qeverinë se ka shitur në favor të Greqisë territorin tonë detar, duke u bazuar në disa kërkime të kolonelit Myslim Pasha, sipas të cilit vendi fqinj përfiton 354 km2 sipërfaqe falë këtij akti.