Tiranë, përleshje në lokal, plagoset me thikë 17-vjeçari
TIRANE - Një sherr mes dy adoleshentësh në ambientet e një lokali në afërsi të Kinostudios në Tiranë, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën njërit prej tyre. Klaudio Hyka, 17 vjeç dhe një bashkëmoshatar i tij, është marrë në hetim në gjendje të lirë nga uniformat blu të kryeqytetit, pasi në një lokal në periferi të kryeqytetit, ka goditur me thikë bashkëmoshatarin e tij. Burime nga Komisariati nr.4 i Policisë së Tiranës thanë se, sherri mes të rinjve ka nisur për shkaqe banale. Dy adoleshentët kanë qenë duke ndenjur në të njëjtin lokal, kur papritur kanë nisur të konfliktohen me njëri-tjetrin. Sipas policisë, autori i ngjarjes bashkë me një mikun e tij, që ndodhej në tavolinë me të, i është drejtuar 17-vjeçarit tjetër, duke i kërkuar shpjegim se pse po e shikonte. E në këtë moment ka ndodhur dhe acarimi mes dy adoleshentëve. Pasi në fillim kanë shkëmbyer të shara mes të dyve, konflikti ka kaluar në përballje fizike. E gjatë këtij momenti, 17-vjeçari Klaudio Hyka, ka nxjerrë një thikë që kishte me vete duke goditur të riun. Ky i fundit është dërguar me shpejtësi në spital ku ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq është njoftuar dhe policia, e në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të Komisariatit nr.4, dhe të seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Brenda disa orëve është ndaluar autori i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, i cili menjëherë sapo miku i tij ka plagosur adoleshentin është zhdukur nga vendi i ngjarjes. e.d