E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Marrëveshja me Greqinë ka karakter politik

 

Anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ylli Manjani, del kundër qëndrimit të PS-së për të ankimuar juridikisht në Kushtetuese paktin për kufijtë detarë me Greqinë. Sipas Manjanit, marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë, nuk ka nevojë që të trajtohet në kuadrin juridik, por në kuadrin politik dhe për pasojë sipas tij, reagimi duhet të ishte politik. “Ajo marrëveshje është një marrëveshje e tipit politik dhe për pasojë instrumenti reagues duhet të ishte politik dhe jo juridik. Marrëveshja nuk ka probleme juridike, nuk është çështje juridike, është shprehur Manjani. Lidhur me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga qeveria shqiptare, Manjani vuri në dukje se qeveria duhet të justifikonte se përse e bëri këtë marrëveshje. “Qeveria shqiptare nuk ka qenë në gjendje të na justifikojë se pse e bëri këtë marrëveshje, sepse ishte edhe një alternativë që të mos e bënin këtë marrëveshje. Çfarë përfituam ne nga kjo marrëveshje? Në këtë kuptim, çështja e diskutimit për marrëveshjen është politike”, u shpreh ai. Përsa i përket ankimimit në Gjykatën Kushtetuese nga partitë e majta dhe të djathta opozitare, për të hedhur poshtë vendimin e qeverisë për këtë marrëveshje, Manjani theksoi se kjo gjykatë i shërben pushtetit politik dhe për pasojë, ajo mund ta konfirmojë ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje, duke bërë që Partia Socialiste të dorëzohet pa kushte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›