E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të mbytesh në një gotë ujë”!

Musa ULQINI 

Edhe pse kanë kaluar gati 20 vjet pluralizëm, komunikimi i politikës me publikun është larg standardeve të njohura demokratike. Ky komunikim vazhdon të jetë sa i politizuar aq dhe i njëanshëm.  E vërteta vazhdon “të ndjehet keq” në diskursin e përditshëm të politikanëve shqiptarë. Shembulli më domethënës është mënyra se si liderët e dy forcave kryesore politike vazhdojnë “të lexojnë” raportet e institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë proceset demokratike në Shqipëri.
I.
Më 14 tetor kreu i delegacionit të KE në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan, prezantoi progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Lohan, duke komentuar raportin, u shpreh se Shqipëria, me gjithë reformat e bëra, vazhdon të ketë gotën gjysmë të mbushur në plotësimin e standardeve të BE-së.
Megjithëse progres-raporti i KE-së i bën një analizë realiste si arritjeve ashtu dhe mangësive të shënuara nga Shqipëria në plotësimin e standardeve të BE-së për periudhën shtator 2008-shtator 2009, dy forcat kryesore politike e komentuan atë në mënyrë diametralisht të kundërt. Pozita e vuri theksin vetëm tek arritjet (gjysma plot e gotës), ndërsa opozita vetëm te mangësitë (gjysma bosh e gotës).
Aq në ekstrem ishin komentet respektive, saqë dukej sikur nuk bëhej fjalë për të njëjtin raport, por për dy raporte të ndryshme.
Në konferencën e tij për shtyp, kryeministri Sali Berisha u shpreh shumë entuziast për progres-raportin, të cilin premtoi se do ta kishte program pune për qeverinë e tij. Madje, ai ishte gati ta firmoste edhe vetë atë. 
Në të njëjtën ditë kreu i opozitës Edi Rama, nuk i kurseu vlerësimet e tij për progres-raportin, sepse siç theksoi ai, “Raporti është një pasqyrë realiste e krizës së rëndë të demokracisë në Shqipërinë e sotme”. 
Në sinkron me liderët e dy partive kryesore ishin edhe zëdhënësit e tyre, edhe shtypi partiak, madje edhe mediat e pozicionuara në krah të PD dhe PS. 
“Raporti: Po përmbushen të gjitha standardet e BE-së”, ishte titulli kryesor i gazetës RD, një ditë pas publikimit të progres-raportit. Në të njëjtën ditë gazeta ZP kishte si titull kryesor “BE: Berisha arritje hiç, dështime plot”. 
Berisha dhe të tijtë, që nga dita e publikimit të raportit, nuk lënë rast pa vënë në dukje me forcë vetëm arritjet e përmendura në progres-raportin e BE-së. Por askush nuk kujtohet të flasë për kritikat që bëhen në këtë raport për çështje të tilla thelbësore, si lufta e munguar kundër korrupsionit, për të cilin raporti shprehet: “Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz”.
Ndërkohë, që nga dita e publikimit të progres-raportit të BE për Shqipërinë, Rama dhe të tijtë nuk lënë rast pa vënë në dukje me forcë vetëm kritikat e adresuara ndaj qeverisë. As që bëhet fjalë të përmendet shkarazi qoftë edhe një arritje e Shqipërisë gjatë këtij viti, siç ishte pranimi i Shqipërisë në Nato etj.
II.
Më 14 shtator u publikua raporti përfundimtar i misionit OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.   
Raporti në 39 faqet e tij analizon hollësisht fushatën elektorale, ditën e zgjedhjeve dhe procesin e numërimit të votave. Është një raport analitik, ku për të gjithë elementët kryesorë të procesit zgjedhor nënvizohen si arritjet ashtu edhe mangësitë. Në raport jepen edhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e procesit zgjedhor në të ardhmen.
Si reaguan dy forcat kryesore politike ndaj raportit për zgjedhjet, i përgatitur nga institucioni më i specializuar dhe kredibël për vlerësimin e zgjedhjeve parlamentare në botën demokratike?
Vetëm një orë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, kryeministri Berisha e konsideroi atë si dinjitoz e objektiv. “Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri, një raport i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe Europë”, ishte konkluzioni i Berishës.
Një ditë më pas kryetari i PS-së, Edi Rama, dha komentet e tij për raportin në fjalë. Rama u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmonte plotësisht denoncimin që PS-ja i bëri procesit zgjedhor të 28 qershorit. “Ne gjejmë në këtë raport një vlerësim konfirmues për analizat dhe qëndrimet tona lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit dhe për ne, ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, ishte konkluzioni i Ramës. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga publikimi i raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, edhe pse të gjithë kanë mundur të njihen me të deri në detaje, edhe pse përfaqësuesit kryesorë të institucioneve kryesore ndërkombëtare kanë bërë thirrje për “leximin” korrekt të këtij raporti, vlerësimi i dy forcave kryesore politike në vend dhe i liderëve të tyre për raportin vazhdon të mbetet bardhë e zi.
Berisha dhe të tijtë sa herë që flasin për zgjedhjet e 28 qershorit lexojnë vetëm pasazhet afirmative të raportit, duke anashkaluar vlerësimet kritike. Për shembull, Berisha përsërit pa u lodhur atë që raporti e quan risi të këtyre zgjedhjeve: pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Por ai anashkalon atë që në raport vlerësohet si dështim i qeverisë: mungesën e transparencës mbi ecurinë e këtij procesi.
Ndërkohë në të njëjtën linjë, por në inversin e kundërt, Rama dhe të tijtë çdo ditë theksojnë përpara qytetarëve vetëm paragrafët kritikë të raportit për zgjedhjet, duke anashkaluar pjesët afirmative të tij. Kështu p.sh., Rama përsërit pa u lodhur kritikën e raportit për numërimin keq dhe shumë keq të votave në 1/3 e qendrave të numërimit. Por ai nuk e çon leximin e këtij paragrafi deri në fund. Sepse sipas vëzhguesve ndërkombëtarë fjala është për mosrespektimin e procedurave zgjedhore nga komisionerët në 22 qendra numërimi, në 12 nga të cilat në mazhorancë ishin komisionerët socialistë. Madje, ata theksojnë se në asnjë rast në të 22 qendrat e numërimit të votave nuk kishin vërtetuar manipulim të rezultatit të votimit.
Pozicionimi pro dhe kundër ka përfshirë me të njëjtin ngjyrim (bardhë e zi) jo vetëm zëdhënësit e këtyre dy subjekteve politike, por gati ka futur në këtë kurth edhe shumë media dhe komentatorë politikë. Kështu në një forum të zhvilluar ditë më parë nga radio e mirënjohur BBC (emisioni në gjuhën shqipe) për cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe raportin e OSBE/ODIHR-it, vlerësimi nga të pranishmit ishte në kufijtë ekstremë: njëra palë i vlerësonte zgjedhjet e 28 qershorit të njëjta me ato të vendeve më demokratike, kurse pala tjetër më të këqija se zgjedhjet e zhvilluara kohët e fundit në Iran dhe Afganistan!
III.
Është për të ardhur keq që pas 20 viteve pluralizëm liderët e forcave kryesore politike manifestojnë të njëjtën sjellje demagogjike ndaj të gjithë raporteve dhe vlerësimeve që ndërkombëtarët bëjnë për proceset demokratike në Shqipëri. Pozita gjithmonë flet për pjesën plot të gotës, ndërsa opozita për pjesën bosh të saj. Aq e theksuar është kjo sjellje, e cila përthyhet në të njëjtën masë edhe nga mediat, sa që shpesh e më shpesh qytetarët e thjeshtë e kanë të vështirë të kuptojnë të vërtetën. Të vërtetën në raportet e ndërkombëtarëve dhe të vërtetën për atë çfarë ndodh përditë në këtë vend. Dikush mund të thotë se kjo është loja në pluralizëm: pozita vetëm afirmon, kurse opozita vetëm kritikon. Por edhe në pluralizëm afirmimi dhe kritika duhet të ruajnë sensin e masës. Pozita duhet të afirmojë duke njohur të metat, ndërkohë opozita duhet të kritikojë duke mos mohuar arritjet. Vetëm në këtë mënyrë progresi demokratik është në rrugën e duhur. Përndryshe politika shqiptare do vazhdojë ende “të mbytet në një gotë ujë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›