"Vrau vëllain se nuk gjente punë"
Armand Bajrami
Prokuroria e kryeqytetit çon përpara togave të zeza të gjykatës një 50-vjeçar të akuzuar për vrasjen e vëllait të tij. Organi i akuzës përfundoi pak ditë më parë hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen e "kopsitur" në ngarkim të Ahmet Vathit për akuzën e "vrasjes nga pakujdesia". Sipas Prokurorisë, dyshohet se Zyhdi Vathi, vëllai i 50-vjeçarit, gjeti vdekjen në gusht të këtij viti prej plagëve të marra në kokë pas goditjeve me sende të forta nga i pandehuri Vathi. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve mësohet se pak ditë më parë në sekretarinë e këtij institucioni është depozituar dosja me të pandehur 50-vjeçarin Ahmet Vathi. Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtarin Petrit Çomo si gjyqtarin që do të shqyrtojë këtë çështje, ndërsa seanca e parë është caktuar në 17 nëntor. Sipas hetimeve të Prokurorisë, vëllezërit kanë pasur mes tyre mosmarrëveshje, për shkak se viktima nuk po gjente punë ndërsa jetesa ishte e vështirë në kushtet e mungesës së burimeve financiare.
VELLA-VRASJA
Hetimet për ngjarjen e fillim gushtit në një banesë në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranës, nisën vetëm pasi Zyhdi Vathi, 48 vjeç, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak më 4 gusht. Vathi ndërroi jetë ndërsa kishte marrë plagë të rënda nga goditje me mjete të forta në pjesën e prapme të kokës, si edhe nga përplasja e fortë me dyshemenë. Hetimet paraprake zbuluan se viktima ishte plagosur gjatë një përleshjeje fizike me vëllain e tij, Ahmet Vathi. Kaq mjaftoi që Ahmet Vathi të kthehej në të dyshuarin kryesor të ngjarjes dhe ndaj tij të firmosej një urdhër arresti. Ekzekutimi i këtij urdhër arresti me akuzë "vrasje nga pakujdesia", u bë i mundur pak ditë më pas, pasi Vathi ishte larguar nga vendngjarja. Bëhet e ditur se sherri mes vëllezërve, që përfundoi me vdekjen e njërit dhe prangosjen e tjetrit, kishte si zanafillë vështirësitë ekonomike me të cilat përballeshin çdo ditë vëllezërit. Ata jetonin në një banesë të përbashkët dhe vështirësitë ekonomike sillnin konflikte herë pas here mes tyre. Bëhet e ditur se ditën e ngjarjes midis viktimës dhe të dyshuarit si autor i saj ka nisur një konflikt gojor, ndërsa më pas debati ka precipituar në konfrontim fizik. Në përleshje e sipër dyshohet se Ahmet Vathi ka goditur në kokë me një objekt të fortë, mendohet levë, vëllain e tij. Goditja e ka shembur përtokë viktimën Zyhdi Vathi. Teksa ka parë vëllain e tij të gjakosur, Vathi e ka dërguar atë në Spitalin Ushtarak dhe më pas është larguar.