E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, PS ndryshon strukturat në bazë

01/03/2010 Partia Socialiste nis ristrukturimin e saj në nivel qarqesh

Ndryshimet në statut, dyfishohen këshillat socialistë

Grupi i punës po harton draftin përfundimtar për t’ia paraqitur kryesisë

Partia Socialiste ndryshon sërish strukturat e saj drejtuese. Kësaj radhe vala e parë e ndryshimeve organizative do të përfshijë Këshillin Socialist të rrethit. Kështu, duke synuar një strukturë më afër anëtarësisë, kupola rozë do të sjellë një formë të re organizimi të PS-së në nivel qarku. Në këtë mënyrë pritet që grupi për ndryshimet në statut pranë kësaj partie të mblidhet për të diskutuar mbi një moment të tillë. Në bazë të të gjitha propozimeve të ardhura nga anëtarësia socialiste, pas plotësimit të pyetësorit të propozuar nga PS-ja për ndryshimet në statut, grupi i punës i ngritur për këtë çështje do të merret kryesisht me ristrukturimin e strukturave të asambleve socialiste në nivel bashkish. Burime pranë selisë rozë, bënë me dije se gjatë kësaj periudhe grupi i punës për ndryshimet në statut është njohur me të gjitha propozimet e ardhura nga baza socialiste, pas përpunimit të të gjitha të dhënave. Ndërkohë, mësohet se në mbledhjen e radhës anëtarët e këtij grupi pune do të përqendrohen pikërisht tek Këshilli Socialist i rrethit. Nga ana e saj kupola rozë pati dhënë propozimet e saj mbi një strukturë të tillë, ku pritet që të jetë një prej këtyre propozimeve ai i cili t’i drejtohet kongresit të PS-së, si forumi më i lartë vendimmarrës, për miratim. Në pyetësor parashtroheshin disa ide, ku kërkohej mendimi i anëtarësisë nëse ajo mendonte që kjo strukturë të mbetej siç është në statutin aktual të PS-së, apo të suprimohej nga KS i rrethit dhe në vend të tij të krijohen KS i ZAZ, pra të krijohen 66 KS të ZAZ, sipas Kodit Zgjedhor. Kështu, pritet që të jetë pikërisht propozimi i dytë ai i cili do të miratohet, duke synuar që me këtë ndryshim forumet e PS-së në nivel qarqesh të jenë më afër anëtarësisë së saj. Ndërkohë që kjo strukturë ishte një nga ndryshimet e bëra në statutin e PS-së, duke u konsideruar si risi, në kushtetutën e kësaj partie. Megjithatë, nuk dihet ende se si do të jetë mënyra e funksionimit të kësaj strukture. Por aktualisht Këshilli Socialist i rrethit përbëhet nga kryetarët e partisë të bashkive/komunave. Ai bashkërendon veprimtarinë politike të organizative të AS të bashkive/komunave në përbërje të rrethit dhe mban lidhjet me organet më të larta vendore e qendrore të partisë, organizon e drejton aktive e veprimtari të tjera politike-elektorale në shkallë rrethi, organizon e drejton punën e partisë në njësitë vendore të rrethit për përgatitjen e menaxhimin e fushatës së zgjedhjeve dhe përgjigjet për rezultatin e tyre, administron listat e komisionerëve elektoralë të partisë të njësive vendore dhe merr masat për kualifikimin e tyre, administron dhe përgjigjet për dokumentacionin e partisë në shkallë rrethi, regjistrin e strukturave, regjistrin e anëtarësisë së partisë sipas OS, AS të bashkive/komunave, regjistrin e burimeve njerëzore etj. Gjithashtu, Këshilli Socialist i rrethit drejtohet nga sekretari socialist i rrethit. Ndërsa nga ana e tij, sekretari socialist i rrethit asiston dhe përgjigjet për bazueshmërinë statutore të vendimeve që marrin Asambletë Socialiste të bashkive/komunave.

Grupet e punës

Ndryshimet në statut dhe programi politik gati në mars

Grupet e punës të ngritura për ndryshimet në statut dhe programin politik të Partisë Socialiste duhet që brenda muajit janar të kishin përfunduar zbatimin e programit të punës në funksion të detyrës për të cilën janë ngritur dhe funksionojnë. Në këtë mënyrë, ndryshimet në statut dhe përmirësimi i programit politik i kësaj partie janë ndër çështjet kryesore ku duhej të ishin përqendruar grupet e punës. Ndërkohë që asnjëri nga këto grupe ende nuk ka një draft projekt përfundimtar. Megjithatë, bëhet e ditur që gjatë muajit mars do të përfundojë e gjithë puna e këtyre dy grupeve. Nga ana e tij, grupi i punës për ndryshimet në statut pranë Partisë Socialiste ka nisur shqyrtimin e opinioneve të anëtarësisë mbi funksionimin e “kushtetutës”. Ndryshimet në statut pritet të prekin edhe përbërjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Konkretisht është përfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë e deputetëve anëtarë partie në një forum të tillë, gjë do të rishikohet nga kupola rozë. Grupi i punë i ngritur për këtë çështje do të kërkojë që përfshirja e deputetëve në Asamblenë Kombëtare të mos jetë më automatikisht, por t’i nënshtrohen votimit në kongresin e kësaj partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›