E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfliktet për pronën pushtojnë prefekturën

Fier

Prefekti i Fierit ka kërkuar bashkëpunimin e institucioneve vendore, si dhe të institucioneve të tjera, me qëllim zgjidhjen e konflikteve për pronën. Përballë kërkesave të shumta që kryhen përditë pranë Prefekturës së Fierit, në objekt të të cilave është pikërisht konflikti për pronën, prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka mbledhur drejtues të zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në komuna e bashki, si dhe përfaqësuesit e Komisionit të Njohjes dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, komision ky që është ngritur prej afro dy vjetësh në prefekturë. Sipas zyrës së informacionit në Prefekturën e Fierit, mësohet se mbi 50 ankesa në ditë me objekt konfliktin e pronës depozitohen në prefekturë. Madje, edhe numri i personave që duan takim me prefektin vetëm për t’i bërë prezent shqetësimin e tyre për konfliktin e pronësisë është i lartë. çështja më e diskutueshme në Prefekturën e Fierit është debati për pronësinë, që në shumë raste ka shkaktuar edhe viktima. Kreu i këtij institucioni, Bujar Hasaj, i pamundur për të përballur fluksin e lartë të ankesave me bazë për konfliktin e pronës ka kërkuar angazhimin e institucioneve vendore. Në rolin e kreut të Komisionit të Njohjes dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, prefekti Hasaj tha se “kam të drejtën e krijimit të kushteve për zbatueshmërinë e ligjit, me qëllim zgjidhjen e rasteve të konflikteve, por pavarësisht pozicionit tim, duhet angazhimi dhe bashkëpunimi i komunave”. Ndërsa ka bërë apel për një menaxhim korrekt të çdo rasti konflikti, i cili është bërë prezent në prefekturë dhe tek autoritetet përkatëse, prefekti Hasaj ka pranuar se për t’i dhënë fund rëndimit të situatës me bazë konfliktin për pronën duhet që të shihet zbatueshmëria e ligjit. Arben Duka, shefi i komisionit të ngritur në Prefekturën e Fierit për njohjen dhe vlerësimin e titujve të pronësisë ka thënë se që nga hapja e këtij komisioni e deri tani janë depozituar plot 1280 ankesa. Në afro dy vjet të funksionimit të këtij komisioni numri i dosjeve të shqyrtuara është shumë i ulët. Konfirmohet se masa e dosjeve të shqyrtuara nuk kalon 30%, çka e vë në pikëpyetje komisionin në fjalë, i cili ka pak më shumë se një vit afat funksionimi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›