E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshit pranë Gardës së Republikës i jepet emri “Frederik Shopen”

01/03/2010 200-vjetori i lindjes së kompozitorit të njohur Shopen

Kryeqyteti shqiptar i bashkohet nismës së shteteve evropiane për kremtimin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur me famë botërore Frederik Shopen. Festimet e 2010-ës, të shpallur si viti i Shopenit, janë shoqëruar me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Sipas kalendarit të përcaktuar, organizimet me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur polak kanë nisur në sheshin para Gardës së Republikës me homazhet e rastit, për të vijuar më tej me bandën e qytetit, e cila luajti pjesë të kompozuara nga Shopeni. Organizimet e Bashkisë së Tiranës vijuan më pas me vendosjen e emrit “Frederik Shopen” sheshit para Gardës së Republikës, ku përfaqësues të pushtetit vendor dhe zyrtarë ndërkombëtarë zbuluan pllakën e mermertë, në nderim të këtij emri të shquar të muzikës botërore. Gjithashtu, veprimtaritë u shoqëruan me një koncert në natyrë, ku artistë të rinj të talentuar, por dhe emra të njohur të skenës shqiptare luajtën pjesë të kompozitorit të njohur. Në këto aktivitete ishin të pranishëm kreu i bashkisë, Edi Rama, ambasadorja polake, ambasadorja franceze, përfaqësues të shoqatës “F. Shopen”, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni, nxënës muzikantë, si dhe mjaft të ftuar të botës së artit. Romancieri, pianisti dhe kompozitori me famë botërore Frederik Shopen (1810-1849) shënon këtë vit 200-vjetorin e lindjes. Skena ndërkombëtare e muzikës këtë vit e ka shpallur “Viti Shopen”, vitin e fenomenit unik në historinë e muzikës në piano, vlerat e paçmueshme dhe të bukura të të cilit dëgjohen me kënaqësi në të gjithë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›