Bojkoti, ambasadorët "futen në lojë"
Insistimi i Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin ka sjellë përfshirjen në "lojë" të faktorit ndërkombëtar. Disa prej ambasadorëve të shteteve kryesore europiane kanë zhvilluar ditët e fundit takime me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Burimet politike sqarojnë se bashkëbisedime informale janë zhvilluar edhe me eksponentë të mazhorancës. Mësohet se diplomatët perëndimorë po përpiqen të ndërgjegjësojnë pozitën dhe opozitën për rivendosjen e bashkëpunimit të ndërsjellë. Ky i fundit shikohet si e vetmja mundësi për të realizuar reformat madhore që kërkohen në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian. Burimet pranë kancelarive ndërkombëtare sqarojnë se kreu i opozitës në shumë pak ditë ka zhvilluar bisedime me të paktën gjashtë ambasadorë. Ditën e djeshme, Rama priti në zyrën e tij ambasadorin e Suedisë në Shkup, Lars Freden. Suedia, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, nuk përfaqësohet në Shqipëri në nivel ambasadori, duke mbuluar kështu zhvillimet përmes kryediplomatit të tyre në Shkup. Situata duket të ketë qenë shumë delikate për aq kohë sa nga Shkupi ka udhëtuar diplomati suedez dhe ka zhvilluar një takim në selinë rozë. Më parë mësohet se Rama ka pasur komunikim me ambasadoren britanike në Tiranë Fiona Mcllwham. Në turin e bisedimeve janë përfshirë edhe kryediplomati gjerman Bernd Borchardt, ai danez Karsten Jensen dhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian Helmut Lohan. Një takim i posaçëm mësohet të jetë bërë edhe me ambasadorin spanjoll në Tiranë, Manuel Montobbio. Spanja ka një rol të rëndësishëm, për shkak se është vendi që merr kryesimin e presidencës së Bashkimit Europian në muajin janar të vitit të ardhshëm. Sipas burimeve konfidenciale, mësohet se ndërkombëtarët në takimet që kanë pasur janë informuar nga palët në lidhje me qëndrimet e deritanishme. Nga opozita mësohet se ata kanë kërkuar që të sqarohen kërkesat për t‘u rikthyer në Kuvend. Në deklarimet publike ndërkombëtarët janë deklaruar hapur kundër bojkotit të Parlamentit. Ata kanë sugjeruar që debatet politike të bëhen brenda Parlamentit, duke e konsideruar tempull të demokracisë. Burimet sqarojnë se gjithsesi ndërkombëtarët nuk kanë shfaqur ndonjë anësi në qëndrimet e tyre në raport me kërkesat e opozitës apo qëndrimet e mazhorancës. Ajo çka mësohet se është synuar, ka të bëjë me afrimin e qëndrimeve midis palëve dhe rikthimin nga pozicionet radikale në ato institucionale. Rikthimi i opozitës në Parlament konsiderohet si mjaft i rëndësishëm nga diplomatët perëndimorë, për shkak të sfidave me të cilat ndeshet vendi. Në muajin tetor ka mundësi që të fillojë shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Paralelisht do të bëhet gati edhe progres raporti i përvitshëm, që flet për ecurinë e Shqipërisë në drejtim të reformave dhe përmbushjes së standardeve. Një tjetër çështje me ndikim është edhe procesi i liberalizimit të regjimit të vizave me vendet europiane. Baza e vlerësimit për këto momente janë përmbushja e reformave të kërkuara. Të tilla janë reforma në sistemin e drejtësisë apo ajo zgjedhore. Të gjitha kërkojnë shumicë të cilësuar votash në Kuvend dhe një konsensus midis pozitës dhe opozitës.