E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranë Shkodrës, ndihmat nga Greqia

Solidariteti

Përmbytjet e këtij fillimviti në zonën e Shkodrës erdhën rrëmbyeshëm, duke ndryshuar fushat, rrugët, oborret, shtëpitë... Duke ndryshuar jetën e njerëzve. Në këto raste fatkeqësish, fjala “ndihmë” merr kuptimin dhe vlerat e vërteta. Përmbytjet treguan se solidariteti njerëzor ekziston akoma si pjesë e moralit dhe virtytit të shqiptarëve. Dhe ky solidaritet ndodh në kushte të reja, kur kriza ekonomike gjendet brenda xhepave të emigrantëve, të cilët dita-ditës po humbasin vendet e punës. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe shumë institucione greke, kryesisht bashki dhe prefektura, u solidarizuan plotësisht me thirrjen që u bëri ambasadori i Shqipërisë në Greqi, dr.Vili Minarolli, për të ndihmuar të dëmtuarit nga përmbytjet. Zoti Minarolli na tregon: “Përjetuam çaste emocionuese në këtë fushatë solidarizimi të shqiptarëve emigrantë, si dhe të miqve tanë grekë. Njerëz të ndryshëm, të panjohur, që edhe nuk donin të deklaroheshin, jepnin ndihmat e tyre. Më ka mbetur në mend një emigrant, i cili, kur rastësisht u gjend aty ku po ngarkohej makina me ndihma, tha: ‘Prisni, ju lutem, sa të blej dhe unë diçka për bashkatdhetarët!’. Hyri në supermarket dhe solli një kuti të madhe me ushqime. Por, veçanërisht, dua të përmend shoqatat e shqiptarëve: ajo e Egjios me kryetar Ardian Gjinin, në Trikalla me kryetar Ilir Dibrën, Kallamatës me kryetar Yzeir Mirakën, dy shoqatat e Volosit me kryetarë Eduart Tafaj dhe dr.Leonidha Rushitin; shoqatën e Korinthit me kryetar Irfan Abazaj, shoqatën e Megaros me kryetar Ardian Daullen etj. Pati edhe persona të veçantë që kontribuuan me mjete transporti, ku mund të përmend biznesmenin Roland Qiricin me veprimtari në Selanik, pronari i agjencisë së transportit ‘Ballkan Trans’, Kuçovë, i cili dërgoi një maune me rimorkio nga Berati dhe mblodhi ndihmat e grumbulluara nga shoqatat e shqiptarëve në Volos, Trikalla dhe Kalambaka, si dhe ato që ishin grumbulluar në ambasadë nga Antena dhe Bashkia Anavisos. Po kështu ndihmoi edhe Florian Merolli me veprimtari transporti në Korçë-Athinë. Ndihma e parë nga institucionet greke ishte nga Bashkia e Marusit, që me mjetet e tyre dërguan 20 tonë ushqime dhe pajisje shtëpiake. Nga prefektura e Trikallas u çuan 20 tonë ushqime për banorët dhe 18 tonë ushqime për kafshët. Po kjo prefekturë, më 4 mars dërgoi edhe 10 tonë ushqime për qytetarët e prefekturës së Shkodrës. Ndërkohë, mbi 30 tonë ushqime dhe veshje të reja u dhuruan nga shqiptarët, stacioni televiziv ANTENA dhe Bashkia Anavisos”. Ndërkaq ai tregon se makinat me ndihma nuk kalonin vetëm nga vendi fqinj, në doganat greke e shqiptare, por kalonin edhe nëpër udhët shpirtërore të fëmijëve për prindërit, për fqinjin, bashkëqytetarin e bashkëkombësin, si dhe në udhët e miqësisë së dy popujve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›