E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti dhe protestat, kryesocialisti mbërrin në Bruksel

Vizita
Pas Europës udhëton drejt Shteteve të Bashkuara

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbërriti dje në Bruksel kur pritet që të ketë takime të rëndësishme me komisionerin për zgjerimin, Fuele dhe personalitete të së majtës europiane. Menjëherë pas Brukselit, Rama pritet të niset drejt Amerikës për të pasur një axhendë të ngjeshur me takime. Burime nga selia rozë konfirmuan se Rama do të shpjegojë qëndrimin e PS në lidhje me bojkotin dhe protestat. Takimet e Ramës në Bruksel vijnë gati paralelisht me ngjarjet në Strasburg, në Këshillin e Europës ku këtë javë pritet që të diskutohet draftrezoluta për Shqipërinë ku janë caktuar qartë dhe saktë shumë prej detyrave që duhet të bëjnë PD dhe PS për të zgjidhur krizën. Pas takimeve në Bruksel, Rama pritet të kthehet sërish në vend ku do të fokusohet në përgatitjet e mbledhjes së komisionit për Europën Juglindore të internacionales socialiste, ku pritet të konfirmojnë prezencën e tij edhe kreu i PASOK-ut, Papandreu, duke vijuar më pas me një mbledhje të Partive Socialiste Europiane po në Tiranë në prezencën e Martin Shultz. Më 27 janar, në orën 15.30, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të mbajë një seancë speciale për funksionimin e institucioneve demokratike në vend, si edhe zbatimin e standardeve të KE-së nga ana e Shqipërisë. Në këtë seancë do të prezantohet një projektrezolutë nga dy reporterët për Shqipërinë, përkatësisht finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Walshire. Asambleja do të debatojë dhe më në fund ta votojë rezolutën, e cila do të jetë edhe një kusht për Shqipërinë. Në tekstin e këtij dokumenti theksohet se “komuniteti ndërkombëtar nxit me forcë qeverinë shqiptare dhe opozitën t’i japë fund krizës aktuale dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të proceduar me reformat vitale. Qeveria duhet të ndërtojë pa u vonuar komisionin e hetimit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe opozita të rikthehet në Parlament e të kryejë funksionin e saj. Autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin një reformë legjislative, e cila duhet të jetë në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias.
Këshilli i Europës do të ndihmojë Presidentin Topi në rolin e tij si mediator dhe të ndihmojë të arrijë mbylljen e bojkotit që është bazuar në pranimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe rikthimin e plotë të demokracisë parlamentare në vend. Së shpejti, Komiteti Parlamentar i Këshillit të Europës do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri për të nisur iniciativën e dialogut politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›