Dyfishohet numri i qytetarëve me libreza shëndeti
Sarandë
Hyrja në fuqi e sistemit të ri të referimit dhe e tarifave të reja të shërbimeve spitalore, ka rritur interesimin e mjaft qytetarëve për të bërë sigurimin shëndetësor, duke siguruar edhe një kursim ekonomik në krahasim me ata qytetarë që nuk janë pajisur me librezën e shëndetit, që vërteton se ka shlyer kontributet shëndetësore.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore në Sarandë, Theodhori Baçi, deklaroi se ka një rritje të dukshme të kontributeve shëndetësore, për shkak se qytetarët prekin efektin e këtij sigurimi. Sipas tij, 3-mujori i fundit ka sjellë gati dyfishimin e numrit të të siguruarve, që paraqiten pranë kësaj drejtorie dhe derdhin kontributin shëndetësor. Ai tregon se kjo drejtori ka kryer kontrolle periodike mujore në spitalet e Sarandës dhe Delvinës, për të parë funksionimin e skemës së sistemit të ri të referimit. Drejtori Baçi, ndërkohë, tregon për atë që po ndodh në zonat rurale, ku situata lë për të dëshiruar në fushën e sigurimeve shëndetësore. Kjo vlerësohet prej tij edhe si një mangësi e punës promocionale, e cila shpesh harron zonat rurale, gjë që drejtori Baçi thotë se është “detyrë shtëpie” për kohën në vazhdim për mjekët e familjes që shërbejnë në qendrat shëndetësore të fshatrave.
#