Mesnata shkatërron grupin e gjashtë hajdutëve të bizneseve
Tiranë
Policia ka arrestuar pesë persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Deri tani dyshohen për 12 vjedhje
Një operacion policor, i koduar “Mesnata”, ka goditur në Tiranë një grup kriminal prej 6 personash, ku pesë janë arrestuar dhe një prej tyre është shpallur në kërkim. Policia e Tiranës deklaroi se shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, bënë të mundur goditjen e një grupi kriminal me tendencë vjedhjet e pasurisë. Falë një pune të mirëfilltë hetimore dhe operacionale, u bë e mundur dokumentimi ligjor dhe goditja e një grupi kriminal i përbërë prej 6 personash. Si rezultat i një hetimi 40-ditor, u mundësua ndalimi i pesë personave. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga përfunduan Arjan Skënder Fejzullari, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë, Valter Shefqet Vladi, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Laknas, i dënuar më parë për vjedhje, Simon Robert Thanasi, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë në Greqi për shitje të lëndëve narkotike, Ilir Agim Shehi, 32 vjeç, lindur e banues në Tiranë i dënuar dy herë për vjedhje dhe Ilir Veiz Zenko, 44 vjeç, lindur dhe banues në Mëzez, i dënuar më parë për plagosje. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tyre, i cili tashmë është identifikuar, por për arsye të hetimit nuk mund të publikohen gjeneralitetet e tij. Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të një sërë vjedhjesh lokalesh e banesash të ndodhura në këtë fillim viti në Tiranë. Kapja e shtetasit Arjan Fejzullahu u realizua në sajë të posedimit të informacioneve mbi vendndodhjen e tij, i cili qëndronte i fshehur te disa të afërm në qytetin e Elbasanit, ndërsa katër personat e tjerë u kapën në Laprakë. U konkludua se autorët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi realizonin vjedhjet, sendet e marra i dërgonin në qytetin e Elbasanit në një pikë shumice, me synim shitjen dhe përfitimin monetar të tyre, sende që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Atyre u është dokumentuar tërësisht përfshirja në 12 vjedhje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sërë sendesh të vjedhura, mjetet që përdornin për kryerjen e veprave penale si kaçavidë, doreza, kapuça e shumë objekte të tjera. Materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “vjedhjes” në bashkëpunim. Aktualisht, nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3, së bashku me seksionin përkatës po punojnë në drejtim të dokumentimit të të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe banesave, të realizuara nga ky grup kriminal në kohë e vende të ndryshme në Tiranë.
#