Bojkoti i KiE-së nga opozita, pjesë e problemeve të saj të brendshme”

Flet Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir MetaZëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta mbrojti vendimin e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli për plotësimin e vendeve delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës. Në një prononcim Meta tha se është vërtetë për të ardhur keq për këtë përpjekje, tepër fëmijërore dhe tërësisht të papërgjegjshme, që po bëjnë disa përfaqësues të Partisë Socialiste për të dëmtuar imazhin e vendit, jo vetëm në Strasburg por kudo, sikur atje ka pasur ndonjë problem serioz, përveç vetë problemit që ka krijuar me qëllim lidershipi i Partisë Socialiste, që ka bëjë me bojkotin e pakuptueshëm, të cilin e kanë dënuar të gjithë që nga Strasburgu, Brukseli dhe në të gjithë botën. “Kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka zbatuar kompetencat e saj. Fakti që u konfirmuan sot në mënyrë krejtësisht normale kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar, tregon qartazi se çdo gjë po ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës,” deklaroi Meta. Duke thënë më tej se nuk mund të fajësojnë as Kryetaren e Parlamentit, nuk mund të fajësojnë as mazhorancën për një problem që e kanë krijuar vetë ata, sepse nuk kanë bërë betimin dhe nuk duan të shkojnë në Strasburg. “çfarë faji ka Kryetarja e Parlamentit, kur nuk u ka mohuar të drejtën për t’u përfaqësuar më parë në Strasburg, ata vetë nuk duan të përfaqësohen dhe pastaj kërkojnë të zgjidhet një problem që nuk ka asnjë lidhje as me respektimin e atyre parimeve me të cilat funksionon Këshilli i Evropës dhe Asambleja e Parlamentare dhe as atyre parimeve me të cilat funksionon Parlamenti Shqiptar”, deklaroi Meta. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi më tej se, Kryetarja e Kuvendit nuk ka bërë asnjë shkelje. Duke u shprehur se socialistët kanë problemet e tyre personale, që duhet t’i zgjidhin me njëri-tjetrin. I pyetur se e dëmton kjo situatë politike Shqipërinë për sa i përket çështjes së liberalizmit të vizave, Meta tha se qeveria po i përmbush të gjitha kushtet e përcaktuara në udhërrëfyesin për çështjen e liberalizmit të vizave. “Ne dëshirojmë që secili të japë kontributin e tij të shtuar në këtë proces që është në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh më tej Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta....