Meta: Dështoi një tjetër përpjekje e Edi Ramës për të penalizuar Shqipërinë

Edhe zv/kryeministri dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka reaguar sot lidhur me kërkesën e drejtuesve të Partisë Socialiste, për të ngrirë kredencialet e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Shefi i diplomacisë shqiptare cilësoi se kjo ishte një përpjekje e Edi Ramës për të dëmtuar imazhin dhe aspiratat e Shqipërisë në rrugën e proceseve të integrimit. “Por, si çdo përpekje e tij edhe kjo dështoi. Pra kemi të bëjmë me një tjetër dështim të Edi Ramës në ambiciet e tij për të dëmtuar imazhin e vendit. Opozita ka bërë përpjekje të kahershme për të dëmtuar imazhin e vendit. është një problem i krijuar me qëllim nga lidershipi i Partisë Socialiste dhe ka të bëjë me bojkotin e pakuptueshëm që e kanë dënuar të gjithë. Ata nuk mund të fajësojnë as mazhorancën dhe askënd për një problem që e kanë shkaktuar vetë, pasi nuk kanë bërë betimin dhe duan të shkojnë në Strasburg”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme. Lidhur me çështjen e akreditimeve, Meta u shpreh se Kuvendi ka zbatuar me përpikmëri rregulloren dhe se Kryeparlamentarja Topalli nuk ka bërë asnjë shkelje. “Kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbatuar kompetencat e saj. Fakti që kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar u konfirmuan sot në mënyrë krejtësisht normale, tregon më së miri se çdo gjë ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës”, deklaroi zv/kryeministri Ilir Meta....