Bojkoti i Parlamentit, Ndoka: Deputetët e PS të betohen
Deklarata
Milo: Socialistët, qëndrim koherent. Ndoka: Të betohet që të shmanget blerja e mandateve
Aleatët e Partisë Socialiste, mbështetës të protestave të saj në muajt e fundit ndajnë mendime të ndryshme për bojkotin e saj. Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane pranon se PS duhet të futet në Parlament të paktën sa të bëjë betimin, duke dhënë edhe arsyet për këtë veprim, ndërsa Paskal Milo thotë se i takon PS të vendosë, por ama qëndrimi duhet të jetë koherent. Pjesa tjetër e aleatëve janë skeptikë dhe duket se deri në një mbledhje të radhës mes tyre nuk pranojnë të prononcohen mbi këtë çështje.
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i pyetur pak ditë më parë nëse PS duhet të hyjë në Parlament me rastin e seancës së jashtëzakonshme për Shkodrën duke kryer në këtë mënyrë edhe betimin tha se “nuk është vetëm Parlamenti aty ku PS mund të shprehë pikëpamjet ose mbështetjen për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e fatkeqësisë që ndodhi në veriun e Shqipërisë”. Kreu i PDS-së argumentoi se PS duhet të ketë një qëndrim koherent, në një kohë kur në Parlament, çështjet e rëndësishme janë shumë, si ato për integrimin, por nuk duhet të harrohet problemi parimor, atë për të cilën kjo parti ka bojkotuar Kuvendin e që lidhet me fatet e demokracisë në vend. I gjithë ky arsyetim, sipas Milos vjen sepse letra e Topallit është një truk për të futur PS në Parlament. “Duhet të këtë një qëndrim koherent. Bojkoti nuk varet vetëm nga çështjet që trajtohen, sepse çështje të rëndësishme Parlamenti ka pasur edhe gjatë këtyre muajve siç janë ato për integrimin europian të Shqipërisë e do të ketë. Por këtu problemi është parimor për sa kohë që është ngritur një çështje parimore që ka të bëjë me fatet e demokracisë në Shqipëri. PS duhet të vazhdojë të ruajë qëndrimin koherent. çdo thyerje e këtij qëndrimi në momentin aktual do të mohonte siç thashë qëndrimet e mbajtura deri më tani”, deklaroi Milo ndërsa saktësoi se mbi të gjitha ky është një vendim që i takon PS-së. Por edhe pas një sërë zhvillimesh, kur PS refuzoi të shkojë në Parlament e të bëjë betimin qoftë edhe për rastin e Shkodrës, kreu demokristian Nard Ndoka thotë se PS duhet të bëjë betimin në mënyrë që t’i japë fund një pazari të mundshëm siç është ai i blerjes së deputetëve. “Së pari, ky është një vendim që i takon vetë Partisë Socialiste, por ne si Parti Demokristiane në logjikën e ligjit dhe papërgjegjshmërisë së mazhorancës, mendojmë se PS duhet të futet në Parlament, pasi futja në seancë dhe betimi i jep fund fenomeneve si ajo e blerjes së mandateve”, tha ai. Brenda kësaj jave pritet një mbledhje e tryezës së partive të majta, ku do të bëhet edhe më e qartë strategjia e selisë rozë për bojkotin dhe protestat.
#