E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, aleanca PD-LSI nis ofensivën parazgjedhore

Bllokohet në Këshillin Bashkiak “Paketa Fiskale 2010”
2010, një vit i vështirë elektoral për Bashkinë e Durrësit. Këshilltarët bashkiakë kanë vendosur që me kundërshtitë dhe forcën e kartonit t’i bëhen barrierë administratës bashkiake. Edhe këtë vit projektbuxheti duket se do të mbahet peng, duke përsëritur historinë e vitit të kaluar dhe mbajtur pezull investimet në qytet deri në mesin e 2010-s. Këshilltarët e forcave të djathta kanë hedhur poshtë paketën fiskale të paraqitur nga bashkia me argumentin se rritja e tarifave të shërbimit rëndon mbi qytetarët durrsakë, ndërsa kanë miratuar me shumicë votash listën e të pastrehëve të ofruar në këshill në minutat e fundit, duke ngjallur reagime te personat në pritje të përfitimit.
Menjëherë ka reaguar nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Ardi çela, i cili e ka konsideruar kundërshtimin e paketës fiskale një kundërshtim arbitrar të pambështetur në argumente konkrete. çela i ka kujtuar drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, Eduart Ndreu, një prej këshilltarëve të PD-së që të mos kërkojë zbatimin e një logjike të ndryshme financiare nga ajo që ka aplikuar në Portin e Durrësit ku që nga prilli i vitit 2009 janë rritur tarifat e shërbimeve, ndërsa predikon për tarifa të ulëta. “Bashkia e ka realizuar nivelin e të ardhurave në masën 105 për qind dhe ka rritur ndjeshëm numrin e tatimpaguesve të saj përgjatë një viti, pavarësisht se ishte një vit krize, por askush nuk mund të pretendojë që evazioni fiskal të zerohet në nivel lokal kur këtë nuk po e bën dot as qeveria me armatën e policive dhe strukturave që zotëron”, u shpreh çela. Për Bashkinë e Durrësit qëndrimet e të djathtëve në Këshillin Bashkiak dhe KRRT-në e qytetit janë të pastra politikisht, mbështetur në faktin se 2010-a është një vit elektoral dhe synohet sabotimi i saj. “Kështu po veprohet prej kohësh. U bë 3 vjet që në Këshillin Bashkiak miratimi i buxhetit shtyhet për në limitin e kohës së vet dhe në fund votohet i njëjti buxhet i paraqitur që në fillim të vitit”. Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak në Durrës është shoqëruar nga debate të forta mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë, duke bërë që në fund të triumfojë forca e kartonit. Bashkia ka paraqitur para këshillit paketën fiskale 2010 në të cilën parashikohet një rritje vjetore prej 700 lekësh e shpërndarë në taksat për gjelbërim, pastrim dhe ndriçim qyteti. Taksa për gjelbërimin është propozuar të rritet me 500 lekë, ndërsa ato për pastrim, ndriçimin me nga 100 lekë në vit bazuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjen e çmimit të energjisë. Këshilltarët socialistë kanë braktisur sallën në shenjë proteste. Menjëherë pas vendimit të këshilltarëve të djathtë ka reaguar nënkryetari i Bashkisë së Durrësit, Ardi çela, i cili e konsideron një akt sabotimi dhe politik qëndrimin kundërshtues të këshilltarëve demokratë dhe LSI-stëve, sipas të cilit shërbimet dhe investimet rrezikohen dhe nga buxheti i ulët i qeverisë për Bashkinë e Durrësit që vjen kryesisht nga të ardhurat e ALUIZNI-t, ZRPP-së dhe Drejtorisë Rajonale të Automjeteve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›