Ndahen apartamentet për të pastrehët, acarohen tonet
Lista u miratua në mënyrë të njëanshme. Ata që mbetën jashtë: Do dalim në protesta
Këshilli bashkiak, në mënyrë të njëanshme, i ka dhënë fund ankthit të familjeve të pastreha për t’u përfshirë në listën e përfituesve. Miratimi i një liste me shumicë votash ndërkohë ka ngjallur reagime të forta nga personat që e kanë gjetur veten jashtë kësaj liste dhe janë paralajmëruar protesta. Këshilltarët socialistë kanë kundërshtuar listën që u është dhënë pak çaste para fillimit të mbledhjes së këshillit bashkiak, ndërsa nuk është diskutuar më parë në komisionin e strehimit. Kjo pikë e rendit të ditës ka pasur debate dhe reagime, madje një nga personat e hequr nga lista prej 48 emrash të të pastrehëve ka paralajmëruar fillimin e protestave në qytet. Naim Uka, kryetar i Shoqatës së Invalidëve në Durrës i ka ftuar këshilltarët që të shkojnë e të shohin kushtet në të cilat jeton familja e tij me dy invalidë dhe fëmijë të rritur dhe ka kërkuar shpjegime mbi heqjen nga lista. Ai tha se do të organizojë protesta kundër këtij vendimi arbitrar. Megjithatë, lista e propozuar nga të djathtët është miratuar pasi PD dhe LSI kanë shumicën në këshillin bashkiak. Në listë një prej këshilltarëve të djathtë ka përfshirë emrat e 3 familjarëve të vet duke larguar të tjerë. Hartimi i listës ka qenë një nga pikat më të debatuara prej muajsh në KB-në e Durrësit duke lënë të pakënaqur shumë familje të pastreha që presin të përfitojnë nga banesat sociale. Miratimi i saj i hap rrugë një procedure ankimimi dhe plotësimi të dokumentacioni për secilin prej të përfshirëve në të, ndërkohë që qindra familje të varfra me statusin e të pastrehut presin të përfitojnë strehimin e shumëdëshiruar që mbetet një nga problemet më të mprehta sociale në Durrës. Ndërkaq, edhe këtu ka ndikuar situata e kundërshtimeve mes palëve që vijon prej muajsh dhe është bërë pengesë e një aktiviteti normal në qytetin ku pushtetin e ka fituar e majta, po parlamentarët lokalë janë në shumicë të djathtë.
#