E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti i opozitës, gjyqësori në ngërç

Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë "përplasur" dje gjatë diskutimeve për projektligjin e "konferencës gjyqësore". Gjykata Supreme hodhi idenë se konferenca gjyqësore duhet të mblidhet, pavarësisht se nuk ka një ligj, ndërsa KLD-ja, nëpërmjet nënkryetarit Kreshnik Spahiu, parashtroi në takim se institucioni i Parlamentit ka të gjithë tagrin për të miratuar një ligj të rëndësishëm, megjithëse nuk janë numrat e nevojshëm për të zhbllokuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt ligjor të këshillit, për shkak se opozita ka bojkotuar punimet e Parlamentit. Në një takim në Pallatin e Kongreseve, me ftesë të kryegjyqtares Shpresa Becaj, morën pjesë 31 përfaqësues nga gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, ndërsa në takim u ftuan përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, misioni EURALIUS dhe UPDAT, si dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. "Kam qenë e jam e mendimit që të mundësohet sa më parë mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, në mënyrë që t‘ju jepet zgjidhje problemeve që sot janë shtruar para sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, miratimi i këtij projektligji kërkon një shumicë të cilësuar prej 3/5 e votave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në kushtet aktuale të mungesës së opozitës në Kuvend, miratimi i këtij projektligji është i pamundur", tha Becaj, duke i kërkuar të pranishmëve mendime sesi duhet të vazhdohet. "Mendoni se duhet të presim kur të miratohet projektligji, apo të krijojmë një grup pune që të përgatisë një rregullore provizore në kushtet e mungesës së ligjit dhe të mundësojmë mbledhjen e KGjK-së?" shtoi kryegjyqtarja. Duke iu larguar temës së ditës, Becaj tha se jemi të vetëdijshëm që gjykatat e të gjitha niveleve mbrojnë të drejtat e palëve dhe japin drejtësi shpesh nën presionin e kërcënimin e abuzuesve të ligjit, nën presionin e ndërhyrjeve të gjithanshme, pa masa të plota sigurie nga shteti, shpesh në kushte të vështira pune, me një ngarkesë të madhe çështjesh të gjyqtarëve etj. "Dua të nënvizoj se shpeshherë fushatat politike e mediatike ndaj gjyqësorit, përveç presionit të ushtruar, ndikojnë negativisht në deformimin e perceptimit të publikut mbi dhënien e drejtësisë dhe gjykatave", deklaroi Becaj, ndërsa theksoi se "nuk kemi sistem të korruptuar, por individë të korruptuar brenda këtij sistemi, të cilët vetë ne duhet t‘i evidentojmë dhe t‘i vëmë para përgjegjësisë për të larguar imazhin negativ të krijuar për sistemin e drejtësisë".

Pas fjalës së kryetares së Gjykatës së Lartë, e mori fjalën nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai tha se një përfaqësi e këshillit sapo është kthyer nga një vizitë në qytetin e Lisbonës, në Portugali, në lidhje me një sistem vlerësimi për gjyqtarët më efektivë. Duke iu rikthyer temës për të cilën ishin mbledhur, Spahiu tha se KLD-ja është në vështirësi për rinovimin e vet, për shkak të vonesave të miratimit të ligjit të ri të konferencës gjyqësore. Ai tha se këshilli mbështet projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa shtoi se Kuvendi i Shqipërisë, nga i cili është zgjedhur në funksionin që mban në KLD, mund të miratojë ligje të rëndësishme edhe me kuorumin e nevojshëm për miratimin e tij. Por, me gjithë diskutimet 3-orëshe, trupa e prokurorëve nuk ka dalë në një konkluzion, duke ngarkuar një grup pune për të bërë evidente propozimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›