E Diel, 1 Nëntor 2026

Njohja e vendimeve të huaja, gjykatat harrojnë plotësimin e dosjes

28/12/2009  Ministria e Drejtësisë analizon rastet dhe merr masat konkrete
Dënohen nga gjykatat e huaja, figurojnë të padënuar në Drejtorinë e Burgjeve
TIRANË – Janë dënuar nga gjykata të huaja, u është njohur dënimi nga gjykata shqiptare, janë duke vuajtur dënimin në një prej institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale në vend, por në fakt figurojnë të padënuar në Drejtorinë e Burgjeve. Në arkivat e Ministrisë së Drejtësisë, kjo kategori personash që janë dënuar jashtë në shumicën e rasteve figuron e pastër, në bazë të dëshmive të penalitetit, të cilat tërhiqen në Drejtorinë e Burgjeve. Pra, e thënë në rrugë ligjore për këta persona, gjykata e cila ka bërë njohjen e vendimit nuk ka dorëzuar dokumentacionin përkatës dhe për ta nuk ka një buletin të caktuar. Njohja e vendimeve të huaja nga gjykatat shqiptare ndonëse me ligj respektohet dhe bazohet në dokumentacion, shoqërohet me një mungesë buletini, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Një fenomen i tillë është bërë shqetësues për një numër të dënuarish, të cilët janë shpërndarë në institucione pas njohjes së vendimit, dhe në bazë të rregullave ligjore kanë të drejtë të përfitojnë lirim para kohe me kusht. Fenomeni i mosdërgimit të vendimit të njohur për secilin nga të dënuarit është bërë shqetësues dhe ka mbërritur deri tek dyert e Avokatit të Popullit. Pasi është bërë prezent si fenomen, janë bërë verifikimet përkatëse dhe ka rezultuar se persona të ndryshëm, të cilët vuajnë dënime në burgjet shqiptare, por që krimet janë kryer dhe janë dënuar nga gjykata të huaja nuk figurojnë të dënuar. Shumë persona të tillë i janë drejtuar gjykatave për të përfituar liri para kohe me kusht. Por ndërmjet dokumenteve që duhet për të dhënë një vendim për liri para kohe me kusht është edhe dëshmia e penalitetit. Rastet tregojnë se të dënuarit edhe pse janë në burg, janë paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë dhe kanë marrë dëshminë e penaliteit në bazë të së cilës figurojnë të padënuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›