E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pengoi marrjen e statusit të vendit kandidat, përgjegjës për mosrealizimin e 12 rekomandimeve”

11-09-2011 / Gazeta 55

Skënder Gjinushi “nxjerr zbuluar” Edi Ramën

Opozitës së bashkuar siç duket vetëm emri i ka mbetur i tillë.
Në takimin që kryetari i PS-së Edi Rama zhvilloi me aleatët në fillim të javës, vuri në dukje përçarjet në kampin e majtë. Skënder Gjinushi, aleati kryesor i socialistëve, edhe pse thotë se mungesa në drekën e shtruar për aleatët nga Rama, ishte për arsye personale, pohon se qëndrimet e tij, janë shumë të ndryshme se ato të selisë rozë.
“Mungesa ka të bëjë për arsye personale. Ne, kemi hequr dorë nga bojkoti dhe ka diferenca në qëndrime. Problemi është që PSD e vlerëson se opozita nuk është në rrugën e duhur dhe ka një disproporcion midis qëndrimeve të opozitës dhe qëndrimeve të pozitës. Kemi një pozitë që bëhet gjithnjë e më agresive dhe një opozitë që bëhet gjithnjë e më ‘e butë’”, u shpreh Gjinushi.
Duke komentuar kursin e ri politik të PS, Skënder Gjinushi, i njohur si një mbështetës i vijës së ashpër brenda opozitës, është kundër rikthimit të Partisë Socialiste në Kuvend dhe kundër bashkëpunimit me mazhorancën, për ligjet që kërkojnë 3/5.
Për Gjinushin, në këtë mënyrë Partia Socialiste po merr përsipër kostot e refuzimit të statusit të vendit kandidat në progres – raportin e Komisionit Evropian, që pritet të publikohet në fund të muajit tetor.
“Nuk ka për detyrë opozita të mësojë qeverinë sesi i realizon 12 rekomandimet. 12 rekomandimet kanë rënë tashmë. Ato ishin detyrë për këtë vit dhe këto u shkelën pikërisht pasi u kthye opozita në Kuvend. Pra, 12 rekomandimet janë shkelur, nuk janë plotësuar vetëm për faj të pushtetit. Opozita s’mund të marrë mbi vete gjëra që nuk i takojnë. Këtu dallojmë nga qëndrimet e PS-së dhe vlerësojmë se është koha t’u thuhet shqiptarëve vetëm një fjali: nuk ka ecje para me këtë qeveri. Të tjerat janë përralla. Janë bashkëfajësi. Opozita s’duhet të bëhet palë, pasi në të kundërt jemi pranë një kompromisi, pazari korruptiv, pazari të madh që do t’i lerë gjërat siç janë. S’bëhet fjalë për t’i zgjidhur”, thotë Gjinushi.
Pakënaqësitë e tij, për mënyrën sesi Edi Rama po drejton Partinë Socialiste, por edhe si po orienton të majtën politike, Skënder Gjinushi, i ka shprehur hapur edhe përpara zgjedhjeve lokale, kur Edi Rama nuk pranoi t’i linte asnjë zonë të lirë Social Demokratëve në zgjedhjet vendore.
Këta të fundit, në zgjedhjet e 8 majit u futën në garë vetëm për këshilltarët e këshillave komunalë dhe bashkiakë. Por, pakënaqësi për mënyrën e funksionimit të opozitës ka shprehur edhe aleatë të tjerë si Paskal Milo, Nard Ndoka apo edhe Spartak Ngjela.      

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›