E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pacientë na mirëkuptoni, s’ka analiza për shumë kohë”

 

zirina llambro

“Të nderuar pacientë, analiza nuk ka. Bashkohemi me shqetësimin tuaj për mungesën e tyre për një kohë të gjatë. Presim nga drejtoria të na i sjellë për një kohë të shkurtër. Faleminderit për mirëkuptimin”. Shumëkush do të qeshte nga fjalia e fundit pa pikën e sensit, por një pensionist që halli e çon në dyert e poliklinikës së specialiteteve nr.2, do irritohej jo pak. Me këtë letër të ngjitur në derën e laboratorit përcillen çdo ditë dhjetëra pacientë. Ky stil është bërë i udhës tashmë. Sipas personelit mjekësor, analizat nuk kryhen pasi mungojnë reagentët. Të moshuarit që vizitojnë me shpesh ambulancën, duhet t’i bëjnë gjetkë. Ngjitur me derën e laboratorit është dhoma ku kryhet ekoja e zemrës. Si për ironi, edhe aty një tjetër letër me shkrim dore. ”Eko nuk ka deri në datën 14 shtator”. Kësaj here askush nuk kishte kërkuar mirëkuptimin e të sëmurëve. Mjaftonte pika në fund të fjalisë me shkrim dore. Poliklinika nr.2 në Tiranë, pranë “21 Dhjetorit” ka vetëm pak kohë që është rikonstruktuar. Ndërsa ambientet e saj kanë ndryshuar kryekëput me ato të mëparshmet, shërbimi vijon të ketë mangësi të mëdha. Qytetarët ankohen se u duhet të presin për ditë të tëra që të kenë mundësi të kryejnë ekzaminimet që ju duhen. ”Sa ishte në rikonstruksion nuk bëje dot asgjë në ambulancë, tani ju rroftë që e kanë bërë ndërtesën të bukur, se ne analizat prap te privati po i bëjmë”, thotë një prej banoreve të lagjes.
Mungesa e shërbimit
Në një kohë që çdo ditë vijnë deklarata për reformim të sistemit shëndetësor parësor edhe në skajet më të largëta të vendit, faktet flasin ndryshe. Poliklinika e specialiteteve nr.2 është një nga më të mëdhatë në kryeqytet dhe me fluksin më të madh të personave që vizitohen. Po t’i referohesh letrës në derën e laboratorit përkatësisht në të nuk kryhen analizat e kolesterolit, azotemisë, triglicerdieve dhe transaminave. Po të shtosh këto edhe ekon e zemrës, që deri javën tjetër nuk do të funksionojë, i bie që në poliklinikë të shkosh vetëm për t’u vizituar me stetoskop. ”Kam pasur shqetësime nga zemra dhe sot erdha të bëj ekon, por dera është e mbyllur. S’kemi moshë të presim nga një javë, s’na ngelet vetëm ta bëjmë në klinika private. Na rroftë që kemi paguar sigurimet gjithë jetën”, thotë një tjetër pensionist, teksa pret në katin e dytë të poliklinikës. Kjo kategori duhet të marrë falas shërbimin, e nuk ka pse të sorollatet sa në një klinikë private në një tjetër. Përtej ankesave të pacientëve, mjekët përpiqen të justifikojnë me sa munden shërbimin. ”Analiza ka pasur por tani janë mbaruar reagentët dhe kitet, kemi bërë kërkesë dhe presim që t’i sjellin”, thotë njëra prej laboranteve. Janë më shumë se 50 qytetarë në ditë që paraqiten në poliklinikën numër 2 në Tiranë. Ndonëse pikë kyçe e reformës në shëndetësi është afrimi i pacientëve tek mjekët e familjes e poliklinikat, në mungesë të kushteve pjesa më e madhe e tyre zbarkon në dyert e spitalit “Nënë Tereza”. Me gjithë trumbetimin se reforma ka rezultuar mjaft e suksesshme vetë pacientët dëshmojnë për një shërbim që është jo shumë pranë standardeve të kërkuara.

E zënë taksitë, asnjë vend para godinës

Ndërsa brenda nuk arrin të kryesh analizat, një tjetër problem të pret jashtë dyerve të poliklinikës. Godina është buzë rrugës së “Kavajës”, pa arritur mirë të kryqëzimi i “21 Dhjetorit”. Të sjellësh një të sëmurë me makinë në këtë poliklinikë është e pamundur. Prej trafikut të rënduar është e pamundur të gjesh një vend në rrugë,n dërsa përpara godinës nuk ka asnjë vend parkimi. Të rreshtuara qëndrojnë taksitë, të cilave bashkia ua ka caktuar vendin fiks në dalje të godinës. Kështu qytetarëve nuk u ngelet asnjë alternativë tjetër. Ose duhet të bllokojnë rrugën duke qëndruar në njërën korsi, ose duhet të bëjnë disa xhiro në trafik. Siç duket Bashkia e Tiranës nuk e ka parë të arsyeshme që të paktën 3-4 vende t’i lërë bosh për personat që duhet të vizitohen në ambulancë. Krejt ndryshe është situata pak më sipër. Bankat private bllokojnë gjysmën e bulevardit dhe kanë të rezervuara më shume se 10 vend-parkime. Me këtë logjikë duhet që edhe shërbimi shëndetësor publik t’i paguajë para bashkisë, për të pasur mundësinë e disa vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›