Mungojnë tekstet për gjimnazet
Viti i ri shkollor duket se do t’i gjejë gjimnazistët pa një pjesë të teksteve shkollore. Megjithëse krahasuar me një vit më parë, shpërndarja e librave ka qenë më e rregullt, sërish furnizimi nuk është bërë ashtu siç ishte premtuar në masën 100%. Jo të gjitha libraritë kanë mundur të sigurojnë paketën e librave për nxënësit e shkollave, për të cilat kanë lidhur kontratën e shpërndarjes. Por Ministria e Arsimit hedh poshtë pretendimet e prindërve dhe vetë librashitësve. “MASH njofton të gjithë nxënësit dhe familjet e tyre se janë siguruar të gjitha tekstet shkollore që përdor arsimi parauniversitar për çdo vit shkollor, nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Edhe për klasën e dhjetë gjimnaz, që është klasa me të gjithë tekstet shkollore të reja, janë të siguruara të gjitha tekstet e lëndëve të detyruara dhe me zgjedhje”, deklaroi dje zëdhënësja për shtyp e këtij dikasteri. Sipas saj, shitja e librit shkollor ka nisur që në fillim të muajit gusht, në libraritë afër shkollave. Janë shpërndarë 95 % e të gjithë teksteve dhe janë shitur në qytetet kryesore të vendit rreth 55 % e librave. “Ftojmë qytetarët të mos ta lënë blerjen e teksteve për ditën e fundit. Në çdo shkollë keni të afishuar tekstet e përzgjedhura nga shkolla për çdo vit mësimor dhe ju ofrohet asistenca e duhur për çdo kërkesë”, thuhet në deklaratën e MASH. Sipas saj, në momentin e blerjes së librit shkollor, nxënësit duhet të kenë në vëmendje tri probleme: blerjen e librit të duhur, çmimin e librit dhe pullën e librit. “Keni të afishuar në librari çmimin e çdo teksti dhe çdo libër që do të përdoret në shkollë ka pullën përkatëse të MASH. Çdo libër tjetër që nuk është i pajisur me pullën përkatëse, nuk është i detyrueshëm dhe qytetari mund të mos e blejë”, tha zëdhënësja e MASH.